Nikolla jep lajmin e mirë: Së shpejti investohet në spitalin e Lezhës, shërbime dhe standarde të reja

86

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ – Deputetja e Partisë Socialiste, Lindita Nikolla ka ndarë nga studio e ERTV, projektet ambicioze për zhvillimin e qarkut të Lezhës.

Drejtuesja politike e PS për këtë qark, Nikolla, ka ndarë me lezhjanët lajmin e mirë se do të ketë një investim të ri në spitalin e Lezhës, çka do të mundësojë shërbime të reja spitalore. Ndërkohë që tashmë ky qark ka përfituar edhe nga programi kombëtar i rindërtimit të qendrave shëndetësore, mes të cilave, më e fundit që është rindërtuar, është ajo e Treshit.

“Në kuadër të programit kombëtar të rindërtimit të qendrave shëndetësore është rindërtuar qëndra shëndetësore në Tresh të Lezhës, por lajmi i mirë për banorët është që edhe në spitalin e Lezhës do të ketë një investim në buxhetin e ardhshëm, një investim madhor për të mundësuar shërbime të shtuara dhe me standarde të reja spitalore”, – tha Nikolla.

Deputetja deklaroi se Partia Socialiste është përfshirë intensivisht në komunikimin me banorët e Lezhës, për të ndarë jo vetëm çfarë është bërë, por edhe për të dëgjuar se çfarë duhet bërë më mirë në vazhdim.

Më herët, nga Lezha, gjatë takimit në kuadër të turit për “Bashkinë që duam”, Kryeministri Rama e cilësoi komunikimin me qytetarët si pjesë të pandashme të procesit qeverisës.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.