“Në flakët e revolucionit”, rifillon cikli i shfaqjes së thesareve të Arkivit

178

TIRANË, 12 shkurt /ATSH/ – Rifillon cikli “Thesaret e Arkivit” program i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit i kuruar dhe prezantuar nga personalitete të mendimit dhe hulumtimit bashkëkohor.

Viti 1967 ishte ndër më vendimtarët e diktaturës komuniste. Udhëheqësi Enver Hoxha shpalli Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë dhe ndaloi të gjitha praktikat fetare. Pasi vuajtën për dy dekada, edhe ato pak kisha, xhami dhe teqe të mbetura u mbyllën ose u shndërruan në kinema apo qendra sportive. Priftërinjtë dhe imamët u vunë përballë gjyqeve publike. Duke kopjuar Revolucionin Kulturor Kinez, komunistët e rinj shkuan në të gjithë Shqipërinë që të shkatërronin ndërtesat fetare dhe të bindnin njerëzit të hiqnin dorë nga besimi i tyre.

Gjatë kësaj fushate të dhunshme, katër murgj të moshuar vdiqën kur u dogj Kuvendi Françeskan i Shkodrës. Për këto ngjarje të rëndësishme u prodhua një dokumentar kontroversal i titulluar ”Në flakët e revolucionit” (1967), me regjisor kamera operatorin e talentuar, Endri Keko. I xhiruar nga mjeshtrat Ilia Terpini dhe Niko Theodhosi, ky dokumentar bardhezi, i shfaqur shumë rrallë, sjell në vëmendje këtë moment kyç të historisë së vendit tonë.

Drejtuesja e AQSHF, Iris Elezi, së bashku me profesorin e nderuar Ardian Ndreca, do të hedhin dritë mbi këtë kohë traumatike të Shqipërisë.

Filmi do të shfaqet në 35 mm me titra në anglisht nesër për publikun në kinema “Agimi” në orën 19:00. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.