Lleshaj në Malësinë e Madhe: Policia na përfaqëson të gjithëve

71

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/- Një ditë pas arrestimit të punonjësit të policisë në Malësinë e Madhe, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, zhvilloi sot një takim me këshillin bashkiak të kësaj bashkie.

Pas takimit, në të cilin shoqërohej edhe nga drejtori i policisë së Shkodrës, Vehbi Bushati dhe kryetari i bashkisë Tonin Marinaj, ministri i Brendshëm Lleshaj theksoi për mediet se “polici është arrestuar mbrëmë. Policia e Shtetit që mbrëmë po kërkon denoncuesin, i cili nuk gjendet. Sot pyetja themelore që kemi të gjithë ne është: Kush është denoncuesi?”

“Duhet të parandalojmë çdo mundësi intimidimi të një denoncuesi potencial, fakti që nuk kemi denoncues është pyetja më e madhe, të cilën ne do ta sqarojmë shpejt”, – tha Lleshaj.

Ministri i Brendshëm, Lleshaj u shpreh se “fytyra e policëve është fytyra ime, e juaja dhe gjithë shoqërisë tonë. Policët na përfaqësojnë të gjithë ne”.

Efektivi i forcave të rendit në Gruemirë të Malësisë së Madhe, Berhan Bajrakurti, u arrestua dje për ngacmimin seksual të një 15-vjeçareje./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.