KPK konfirmon në detyrë kandidaten për anëtare të Kushtetueses, Elsa Toska

TIRANË, 12 shkurt /ATSH – I. Vata/ – Këshilltarja ligjore pranë Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska dhe kandidate për anëtare të Gjykatës Kushtetuese, kaloi Vetingun duke u konfirmuar sot në detyrë.

Këshilltarja ligjore pranë Gjykatës Kushtetuese Elsa Toska u vlerësua për profesionalizmin gjatë seancës dëgjimore para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pas një hetimi të dokumentacionit të saj ka vlerësuar se këshilltarja ligjore pranë Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska plotëson tre kriteret e vlerësimit atë të ligjshmërisë, të pasurisë dhe kriterin etiko-profesional.

Trupa gjykuese kryesohej prej Valbona Sanxhaktarit, me relatore Genta Tafa (Bungo) dhe anëtar Lulëzim Hamitaj, shpallën vendimin e konfirmimit në detyrë të këshilltares Kushtetuese, Elsa Toska.

Elsa Toska ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në vitet 1996-2000 si dhe doktoraturën për ligjin kushtetues dhe atë administrativ.

Po ashtu, Toska e ka filluar karrierën si ndihmës komisionere e Avokatit të Popullit dhe prej vitit 2007 punon si këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zhvilluar një seancë dëgjimore me 8 shkurt 2018, me subjektin e rivlerësimit Elsa Toska, të cilën sot e konfirmon në detyrë. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.