Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese/ Miratohet projektligji për materialet mbjellëse

108

TIRANË, 12 shkurt /ATSH – I. Vata/ – Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi sot në tërësi projektligjin për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor.

Të ftuar në mbledhjen e sotme ishin zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Dhimitër Kote, nga Drejtoria e Programimit, Standardizimit dhe Harmonizimit të Kuadrit Rregullator Edlira Llango dhe Vlash Tirana nga Drejtoria e Entit Shtetëror të Farave dhe Fidanëve.

Relatori i këtij projektligji, Ilir Ndraxhi u shpreh se “me anë të këtyre ndryshimeve synohet të arrihet reduktim i barrierave administrative, liberalizim i tregut, përmirësim i mëtejshëm i klimës së biznesit, përcaktimi i rregullave dhe procedurës së marrjes së mostrave, përgatitjes dhe dërgimit të këtyre mostrave për analizë në laboratorin qendror të farave apo laboratorët rajonalë, si edhe përcaktimi i rregullave dhe kritereve, që duhet të plotësojë laboratori i referencës dhe laboratorët e autorizuar”.

Pas prezantimit të projektligjit nga zëvendësministri Kote si edhe komenteve e diskutimeve të ndryshme, kryetari i komisionit Niko Peleshi e hodhi në votim ku u miratua nen për nen dhe në tërësi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.