Komisioni i Medies/ Dekani Hoxha: Problemet jo nga ligji, por nga keqdrejtimi i universitetit


TIRANË, 12 shkurt /ATSH – I. Vata/ – Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik ka zhvilluar sot një seancë dëgjimore me asambletë e universiteteve për situatën e krijuar në universitete gjatë dhe pas protestës studentore, menaxhimin e situatës rast pas rasti, qëndrimet e pedagogëve ndaj VKM-ve, çështje të funksionimit të universiteteve, situatën pas implementimit të Ligjit të Arsimit të Lartë dhe pozitën financiare të pedagogut.

Të ftuar në seancën e sotme dëgjimore ishin përfaqësues nga asambleja e Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, kryetari i asamblesë Dhori Kule, Shyqyri Llaci dhe Sulo Hadëri. Përfaqësues nga asambleja e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Artur Sula kryetar i asamblesë dhe Alban Foci. Nga asambleja e Fakultetit të Shkencave të Natyrës ishin Spiro Drushku dekan i këtij fakulteti dhe Artur Baxhaku, nga Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë ishin Agron Gjekmarkaj, Erka Caro, Andi Pinari dhe Jonila Godole. Përfaqësues nga Fakulteti i Drejtësisë ishin Artan Hoxha, Kestrin Kastro dhe Zhaklin Peto. Kurse, nga asambleja e Fakultetit të Shkencave Sociale përfaqësues ishin Edmond Rapti dhe Marinela Sota.

Dekani i Fakultetit të Ekonomisë Dhori Kule kërkoi nga Komisioni i Edukimit reformë strukturore duke e cilësuar protestën si një gjë të bukur, ndërsa dekani i Fakultetit të Drejtësisë Artan Hoxha akuzoi rektoratin si një nga shkaktarët e protestës së studentëve.

Në seancën dëgjimore, Kule tha problemet e Arsimit të Lartë janë bërë pjesë e interesimit të Kuvendit të Shqipërisë.

“Së pari, do të sillja në vëmendjen tuaj se Universiteti i Tiranës, nderi i kombit, është më i miri në Shqipëri. Në rankimin e institucioneve ndërkombëtare është i pari në renditje në 35 vende”, tha ai.

Kule tha se universitetet janë ndarë në dy pjesë duke përmendur faktin se në 2013 u nda Fakulteti i Mjekësisë.

“Po të shohim universitetet e rajonit janë të gjithë bashkë dhe nuk janë sulmuar siç jemi goditur ne. Është universiteti që ka ndihmuar Universitetin e Prishtinës dhe atë të Tetovës. Shqipëria kërkon të futet në BE, integrimi si pjesë e globalizimit është trendi dhe në vend që të bashkohen, Universiteti i Tiranës është ndarë dhe besoj të jetë në vëmendje të komisionit që më pas të bëhet një reformë strukturore”, theksoi ai.

Duke folur për protestën, Kule tha se ka pasuar shumë gjëra njëherazi, kishte edhe gjëra të bukura.

“Pas kësaj situate Universiteti i Tiranës tregoi se është i fortë, shumica është progresive dhe pozitive se mbron Universitetin e Tiranës, se ka stafin më të mirë”, tha ai.

Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha tha se protesta erdhi edhe për shkak të drejtimit të gabuar nga rektorati. Ai falënderoi studentët e Fakultetit të Drejtësisë që rinisën mësimin, i cili u bllokua nga studentë dhe jostudentë.

“Sot jemi rikthyer në universitetin tonë. Nëse keni pasur mungesa sot janë më të pakta, kemi studentët më të dëshiruar për procesin mësimor, sepse fundi akademik po vjen drejt përmbylljes së procesit. Me ketë rast do ju uroja studentëve dhe pedagogëve vazhdimin me sukses të këtij procesi mësimor. Kjo protestë na ka lëvizur thellë, protesta tregoi se Arsimi i Lartë në Shqipëri nuk është aty ku duhet si për sa i përket cilësisë në mësimdhënie, ashtu dhe cilësisë në kërkim shkencor. Protesta e studentëve ka qenë e mbështetur nga personeli akademik, këtë e nuk e kemi bërë nëpërmjet protestave dhe grevave, por nga vendimmarrja kemi kërkuar të drejtat e studentëve”, shtoi dekani.

Duke folur për shkaqet e protestës Hoxha akuzoi rektoratin për drejtim të gabuar.

“Universiteti ka kaluar një situatë jo të mirë. Universiteti ka pasur një problem të rëndë përsa i përket administrimit dhe drejtimit i cili ka krijuar problematika shumë të veçanta që nuk janë  çështje të ligjit apo lidhen me nevoja financimi apo ide akademike. Ka qenë thjesht çështje e drejtimit të gabuar nga rektori i universitetit të Tiranës, i cili nuk arrin të kuptojë dhe nuk besoj të kuptojë se çfarë do të thotë akademi dhe liri akademike. Ne kemi pasur probleme të cilat kanë çuar deri në bllokimin e veprimeve të caktuara apo të shërbimeve  për studentët. Ne sot prej gati një vit nuk na punon sistemi informatik i brendshëm, ne sot po punojmë në mënyrë mekanike, ne nuk nxjerrim informacion elektronik dhe për të nxjerrë nota për studentë apo vërtetime, apo për ato përfitime që ua ka dhënë Këshilli i Ministrave për tarifat dhe studentët elektronikë e kemi të vështirë të nxjerrim të dhëna”, tha dekani Hoxha.

Më tej, pas fakteve Hoxha tha se kjo situatë anormale në Universitetin e Tiranës mendoj se ka qenë një indikacion për vetë protestën e studentëve.

“Në janar ne kemi zhvilluar mësim normalisht. Ajo që ndodhi ishte se në ditën e katërt u bllokuan ambientet e auditorëve dhe sekretariatit nga studentët. Ajo që ndodhi më pas ishte një komunikim me studentë dhe numri ra dhe ngelën 10 studentë, dhe më pas erdhën persona të tjerë që nuk kishin lidhje me studentët dhe situata u rëndua, sepse në ambientet e Universitetit të Drejtësisë kishte njerëz të paautorizuar dhe ne u bllokuan ndaj shërbimit ndaj të tretëve. Sot kemi në dispozicion ambientet dhe gjendja është normale”, tha dekani Hoxha.

Nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Spiro Drushku u ndal tek ligji për Arsimin e Lartë ku e cilësoi të nevojshëm rishikimin e tij në mënyrë të tërthortë, si edhe foli për procesin e doktoraturave, kërkimin shkencor etj.

Gjatë dëgjesës u prekën, komentuan dhe sugjeruan edhe çështje të tjera si, buxheti për arsimin e lartë, tarifat e studimit, problemet e mbartura dhe të shfaqura në botën akademike, metodologjitë e ndryshme të mësimdhënies, implementimi i risive të ndryshme europiane marrë nga vendet e BE dhe universitetet perëndimore dhe çështje të ndryshme të funksionimit të universiteteve.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.