FOTO/ Rivitalizimi i Vunoit, motor zhvillimi ekonomik dhe turistik

TIRANË, 12 shkurt /ATSH/ – Bashkia Himarë është duke përjetuar një transformim rrënjësor falë investimeve të integruara që po bëhen në gjithë territorin e saj.

Në kuadër të projektit “Punët në Komunitet IV” të mundësuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe bashkinë Himarë, janë më shumë se 10 milionë euro investime të reja të cilat kanë filluar nga puna dhe financohen nga Banka e Këshillit të Europës për Zhvillim (CEB).

Ky projekt parashikon rikualifikimin urban të të gjithë zonës, përfshirë Himarën, Dhërmiun, Vunoin, zonat begdetare në Jalë dhe Dhërmi, infrastrukturën rrugore, parkimin dhe plazhin publik në Dhraleo, etj. Ndërhyrja konsiston në ndërtim/rikonstruksionin e rrugëve, kalldrëmeve, ujësjellës kanalizime, fasada, çati, sheshe, shëtitore, trotuare, plazhe, vendparkime, ndriçim publik, etj. 

DRKK Vlorë është një nga monitoruesit e këtij projekti investimet e të cilit do të kenë impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin e sektorit të turizmit, rritjen e numrit të turistëve, rritjen e punësimit, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, e për rrjedhojë të ardhura më të larta për familjet himarjote.

Sezoni turistik i këtij viti do ta gjejë të gjithë territorin e bashkisë Himarë të transformuar në fushën e trashëgimisë kulturore dhe të gatshëm për një sezon turistik cilësor. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.