FOTO/ Rikthehen reshjet e dëborës, ARRSH: Të gjitha rrugët të kalueshme

133

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ – Vendi ynë gjatë natës është përfshirë nga reshjet e shiut dhe dëborës, ndërkohë që të gjithë kontraktorët janë në gatishmëri dhe po punojnë për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës në segmentet ku ka prezencë bore.

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se “në rajonin jugor Gjirokastër, në qarkun e Korçës ka pasur reshje shiu dhe në lartësitë mbi 1300 m, ka pasur reshje bore. Të gjitha akset e këtij rajoni qarkullohen normalisht”.

Në rajonin qendror Tiranë ka pasur reshje shiu. Në akset e Dajtit ka pasur reshje të dobëta bore. Deri tani nuk ka probleme për qarkullimin.

Në Librazhd-Steblevë, ka pasur rreth 20 cm bore. Po punohet nga kontraktori për pastrim dhe shpërndarjen e kripës. Të gjitha akset e këtij rajoni qarkullohen normalisht.

Në Rajonin Verior Shkodër, gjatë natës ka pasur reshje shiu dhe bore. Trashësia e borës shkon nga 10-40 cm. Kontraktorët po vazhdojnë punën për pastrimin e akseve dhe shpërndarjen e kripës. Qarkullohet me zinxhirë në rrugët: Ura e Cerenecit – Steblevë, 25 km e fundit, ka pasur rreth 20 cm bore.

Trebisht-Doganë, ka pasur rreth 5-10 cm borë. Qafë-Bualli – Krastë, ka rreth 20 cm borë.
Kuben-Vasie, ka rreth 40 cm borë. Të gjitha akset e tjera qarkullohen pa probleme.

ARRSH rekomandon përdoruesit e rrugës, të bëjnë kujdes në lëvizje dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore, të reduktojnë shpejtësinë për shkak të lagështisë në rrugë./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.