FOTO/ Qyteti i një mbi një dritareve, projekte të rëndësishme në favor të turizmit

150

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ – I njohur si qyteti i një mbi një dritareve, Berati është një qytet unik në listën e pasurive të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, i ngritur buzë lumit Osum, rreth 2400 vjet më parë.

Berati është një nga destinacionet kryesore turistike në vend, si dhe nga më të dashurit për vizitorët vendas e të huaj.

Për të nxitur zhvillimin e turizmit në këtë qytet Fondi Shqiptar i Zhvillimit në emër të qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore po zbaton Programin për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin.

Në kuadër të këtij programi ka përfunduar rikonstruksioni i rrugës “Mihal Komneno”, si dhe rigjenerimi i pjesës jugore të kalasë e quajtur “Tabia”, një pikë panoramike e rëndësishme për turistët.

Rruga “Mihal Komneno” lidh Beratin me kalanë e kodikëve të vjetër, këtë muze në natyrë që ruan thesare të çmuara. Rikonstruksioni i kësaj rruge ka bërë më të thjeshtë mbërritjen në kala, si dhe më të këndshme për banorët e qytetit dhe turistët.

FSHZH bën të ditur se po vijon puna për projektimin e ndërhyrjeve për përmirësimin e infrastrukturën urbane, mobilitetin e qytetarëve dhe atraksionet turistike të qytetit.

Ditët e fundit Berati u rendit edhe si një ndër qytetet më të dashur për turistët japonezë. Udhërrëfyesi turistik “Chikyu no arukikata” që orienton qytetarët japonezë në zgjedhjet e destinacioneve turistike për t’u vizituar gjatë 2019-2020 e vendosi Beratin në krye të listës për Europën Qendrore.

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet-muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella, ose kalaja, siç quhet nga beratasit, është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.