Fier, hapësirë e re urbane për banorët e lagjes “Liri”

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/- Investimet në lagjet e brendshme të qytetit të Fierit, synojnë të garantojnë një cilësi jetese më të mirë për banorët.

Bashkia e Fierit ka transformuar lagjen “Liri” në një hapësirë relaksi dhe gjelbërimi për banorët e saj.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi, thekson se “bashkia ka përfunduar një tjetër punë duke e kthyer një tjetër hapësirë publike në funksionalitet”.

“Kaosi i lë vendin një infrastrukture të mirëfilltë urbane, e cila nuk përfundon këtu. Do të vazhdojmë me gjelbërimin dhe elementët e tjerë urbanë”, shprehet Subashi.

Punimet në lagjen “Liri” përfshin infrastrukturën rrugore më të mirë, sipërfaqe publike të sistemuara dhe shtimin e sipërfaqeve të gjelbëruara.

Gjatë vitit 2018, bashkia ka kryer disa investime në rrugët e qytetit, duke i dhënë një pamje mbresëlënëse qytetit, në jug të vendit. Përveç rikonstruksionit të rrugëve edhe dekorimi i pallateve, si dhe lulishtet shumëngjyrëshe kanë tërhequr vëmendjen e qytetarëve, të cilët vlerësojnë punën e bërë nga bashkia, që falë projekteve të saj po i transformon lagjet e këtij qyteti.

Qyteti i Fierit renditet i treti në Shqipëri për nga rëndësia ekonomike. Ka një ekonomi të fuqishme dhe është qendra e Shqipërisë për sa i përket industrive të naftës, bitumit dhe bujqësisë./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.