Eksportet bujqësore shqiptare me rritje dyshifrore drejt BE-së dhe rajonit

169

Rritet prodhimi dhe konkurrueshmëria ‘Made in Albania’ në tregun europian

TIRANË, 12 shkurt /ATSH/- Eksportet e produkteve bujqësore shqiptare, janë rritur me 14,4% gjatë muajit janar 2019.

Sipas statistikave zyrtare, Shqipëria shënoi një sezon shumë të favorshëm dhe të bollshëm të prodhimit bujqësor vendas, kryesisht për zarzavatet si patatja, qepa, lakra të ndryshme, karotën, preshin etj, të cilat ‘prekën’ mbiprodhimin.

Konkurrueshmëria e prodhimeve “Made in Albania” është rritur ndërkohë që produktet tona po zgjerojnë gjeografinë duke u eksportuar në vendet e BE dhe në vendet e rajonit siç janë Serbia, Mal i Zi, Kosova, por edhe Maqedonia. Pikërisht rritja e konkurrueshmërisë së prodhimit bujqësor vendas, është arsyeja që ka ndikuar në rritjen e çmimeve për kategorinë e zarzavateve.

Sot prodhimi ynë bujqësor konkurron me prodhimet e rajonit, konkurron edhe me prodhimet e Bashkimit Europian dhe çmimi i këtyre produkteve, vendoset nga kërkesa dhe oferta për këto produkte. Në qoftë se fermeri ka mundësi më të mira për eksport, ose me çmime më të favorshme, atëherë një pjesë e këtij prodhimi patjetër që do të orientohet drejt eksportit.

Konsumatori do jetë gjithmonë para zgjedhjes për të blerë produkte bujqësore, por edhe blegtorale me çmimet më të leverdisshme për të, por me ofertën që ato kanë në treg, e cila është e barazvlefshme me të njëjtën ofertë që bëhet dhe në tregjet e rajonit. Në qoftë se do të shohim çmimet në Maqedoni, në Kosovë, në Mal të Zi dhe në Serbi, ato ndjekin të njëjtin trend me çmimet e prodhimeve bujqësore shqiptare.

E thënë shkurt, rritja e çmimeve nuk ka ndodhur për shkak se prodhimi vendas këtë sezon ishte i kufizuar apo i reduktuar, por përkundrazi, për shkak të rritjes së prodhimit dhe konkurrueshmërisë në tregun europian. /e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.