Ekonomi: Energjia dhe turizmi, ndikim në rritjen ekonomike

127

TIRANË, 12 shkurt /ATSH/ – “Sot të gjithë studentët janë në auditore, mësimi ka filluar plotësisht në arsimin e lartë dhe ky është një lajm i mirë, – tha deputetja e Partisë Socialiste, Milva Ekonomi në një intervistë në studion e Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), ndërsa u shpreh se, – protesta e studentëve shkundi në njëfarë mënyre gjithë procesin e mësimdhënies, për performacë më të mirë nga ana e pedagogëve, për përmirësimin e jetës studentore dhe uljen e tarifave të studimit. Por krijoi edhe polin e bojkotit, që u zgjidh së fundi në mënyrë shumë paqësore nga hapësirat akademike dhe bëri që të fillonte mësimi i plotë”.

“Për të gjitha problematikat që parashtruan studentët në protestë, qeveria reagoi menjëherë. Ajo emetoi 5 vendime të Këshillit të Ministrave dhe miratoi buxhet shtesë për kërkesat e studentëve mbi tarifikimin dhe akordoi 300 milionë lekë për kampusin e Tiranës dhe 150 milionë lekë për atë të Durrësit”, – tha Ekonomi.

Qeveria hartoi “Paktin për Universitetin” duke i hapur rrugë zgjidhjes së çështjeve mbi punësimin e studentëve, jetës akademike, kampuseve etj.

Ajo theksoi se, edhe përmes portalit “punë të mbarë”, qeveria krijoi një mundësi të re për punësimin e studentëve. Ky portal ofroi 830 vende pune për studentët e ekselencës që të kryejnë një vit praktikë pune në administratën publike, dhe më pas janë të lirë të marrin pjesë në çdo garë për punësim të plotë. Sot numri i aplikantëve ka shkuar në 1000 studentë.

Gjithashtu për nxitjen e punësimit, shpjegoi Ekonomi, është hapur thirrja e katërt për 2000 kërkesa, për praktika pune 3-mujore me eksperiencën profesionale kombëtare, në ndërmarrjet private e publike.

Ekonomi tha se, në Komisionin e Kuvendit për Arsimin, ne kemi dëgjuar edhe zërin e pedagogëve për kërkesat që ata kanë. Nga ana tjetër kuptuam se ligji “Për Arsimin e Lartë” ka sjellë ndryshime pozitive për administrimin e universiteteve, ku përgjegjësitë janë shumë të qarta midis universitetit, fakultetit dhe departamentit. Por pati vonesa në miratimin e statusit të universiteteve që i jep frymëmarrje universiteteve.

Sipas saj, buxheti për arsimin e lartë duhet të vijë në rritje, që ti shërbejë rritjes së nivelit kërkimor-shkencor. Ndërkohë që qeveria do të financojë 2 miliardë lekë paketën e ndihmës për studentët.

Duke u ndalur në çështjet ekonomike, Ekonomi tha se, “raportet e FMN, BB njohën që rritja ekonomike e Shqipërisë është e qëndrueshme. Gjithashtu edhe borxhi publik po ndjek trendin rënës”.

Sipas saj, turizmi, bujqësia, energjia dhe transporti janë sektorët atraktivë me potenciale të lartë që rrisin kontributin në ekonomi, punësim e konsum.

“Agroturizmi po shpërndahet në të gjithë vendin, ndërsa 20 akse rrugore përfundojnë brenda këtij viti. Në energji, si sektor prioritar i ekonomisë, po merr përparësi prodhimi i energjisë së gjelbër në Shqipëri. Ndërsa rritja e pagës minimale, por edhe e gjithë paketa e rritjes së pagave për disa sektorë, është faktor i rëndësishëm i rritjes së konsumit”, -deklaroi Ekonomi.

Në lidhje me protestën e opozitës në 16 shkurt, ajo tha se, “është e drejta e opozitës për tu shprehur edhe me protesta. Por opozita duhet të reflektojë e të punojë për Kodin Zgjedhor si masë për aspiratën që ka Shqipëria për tu integruar në BE”.

Qeveria aktuale po i përgjigjet të gjitha sfidave të kohës, dhe qeveris me votat e shumicës së qytetarëve të vendit. /e.xh/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.