BRUKSEL – Stoltenberg: Zgjerimi i NATO-s drejt Ballkanit Perëndimor kontribut për paqen në rajon

81

BRUKSEL, 12 shkurt /ATSH-MIA/ – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg  deklaroi sot se zgjerimi i NATO-s drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor do ta përforcojë Aleancën, do të ndihmojë për stabilizimin e rajonit dhe do t’i përforcojë shtete ballkanike që do t’i bashkëngjiten Aleancës Veriatlantike.

Stoltenberg, para takimit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të Aleancës, në të cilin për herë të parë do të marrin pjesë përfaqësues nga Maqedonia, si anëtare e ardhshme e NATO-s, kujtoi konfliktet ushtarake dhe krimet gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar që kanë ndodhur në territorin e Ballkanit Perëndimor.

“NATO pati rol kyç në zgjidhjen e atyre konflikteve, në ndalimin e luftërave dhe në stabilizim. Ende ekzistojnë shumë sfida dhe probleme, por është shumë inkurajues se kemi anëtare siç janë Kroacia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e ardhshme e Veriut”, theksoi Stoltenberg.

Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s kanë takim nesër dhe të enjten në Bruksel, ndërsa një ndër temat do të jetë misioni i KFOR-it dhe bashkëpunimi i NATO-s me Forcën e Sigurisë të Kosovës./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.