Basha në ish-kampin e Tepelenës: Ta kthejmë në një vend pelegrinazhi

TIRANË, 12 shkurt /ATSH – I. Vata/ – “Ta shndërrojmë ish-kampin e internimit të Tepelenës, në një vend pelegrinazhi për të rinjtë që regjime të tilla të mos kthehen më. Po ta shtrydhësh këtë tokë kullon gjak dhe lot”, tha kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë vizitë në kampin e internimit në Tepelenë.

Në fjalën e tij, Basha tha se nga pikëpamja ligjore është krim kundër njerëzimit, sepse në qoftë se një nga tre persona humbin jetën për shkak të kushteve qëllimisht shfarosje çnjerëzore atëherë këtu bëhet fjalë për kamp shfarosjeje.

“Duke qenë se gjithçka u zhvillua dhe pa legjislacionin për të burgosur dhe torturuar kundërshtarët e regjimit, nuk ka asnjë dyshim se dhe motivi i xhelatëve dhe mënyra e tyre që i sollën këtu kishte një qëllim, shfarosjen e tyre”, tha në vijim lideri i opozitës.

Me tej, Basha shtoi se “në qoftë se marrim për bazë edhe qëndrimin e BS të Stalinit që kishin sjellje tepër kriminale, imagjinoni se çfarë ka ndodhur në pak m2. Pak vende ka në Shqipëri që në pak m2 të ketë kaq shumë dramë. Na kujtohet Spaçi që burgoseshin kundërshtarët e regjimit, ndërsa në Tepelenë silleshin fëmijë, gratë, të moshuarit të paakuzuar për një vepër penale, me qëllim për t’i çuar drejt shfarosjes”.

Basha shtoi se kampi i Tepelenës duhet restauruar si dëshmia e ngjarjeve më çnjerëzore që kanë ndodhur në këtë vend dhe është e rëndësishme se ka ndodh nga shqiptari dhe po e harruam ketë do ta ripërsërisim.

Po ashtu, Basha tha se historia tregon se një popull që nuk kujton dramën e përsërit dramën.

“Ta shndërrojmë kampin e Tepelenës në një vend pelegrinazhi për të rinj dhe sa kohë kemi njerëz që kanë vuajtur në këtë vend ne duhet të bëjmë më shumë. Një buxhet jo i madh do ta kthejmë në një muze kujtese. Ky vend po ta shtrydhësh tokën kullon gjak dhe lot. Nuk është vetëm çështje dëmshpërblimi që duhet çuar deri në fund, por më shumë është detyrimi moral. Ka pas momente kur kemi fol qartë, por ende nuk kemi një qëndrim kombëtar për këtë çështje. Tepelena duhet kthyer në një pikë referencë për Shqipërinë dhe Ballkanin”, theksoi ai. /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.