Ambasadori Kuka takohet me kreun e Senatit të Çekisë

71

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ – Në mjediset e Senatit të Parlamentit çek, në kuadër të takimit të Presidentit të Senatit me anëtarë të misioneve diplomatike të akredituar në Republikën e Çekisë, u zhvillua dhe një takim i ambasadorit Ilirian Kuka me Kryetarin e Senatit, Jaroslav Kubera ku u fol për marrëdhëniet miqësore në mes dy vendeve tona.
Nga bashkëbiseduesit u vlerësuan shkëmbimet e deritanishme në nivel parlamentar, të cilat krijojnë mundësi në njohjen dhe promovimin e aseteve respektive të vendeve tona, në krijimin e marrëdhënieve njerëzore, e gjitha kjo në favor të krijimit të potenciale të reja në bashkëpunimin dypalësh. Theksi u vu tek shtimi i vizitave në nivel parlamentar dhe mundësitë e vizitave të kryetarëve të parlamenteve reciproke, duke parë si shembull efektin pozitiv që solli vizita e Kryetarit të Senatit çek vitin e kaluar në Tiranë.
Ambasadori Kuka falënderoi Kryetarin Kubera për gatishmërinë e treguar nga pala ç​eke për të lobuar me shtetet skeptike për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE, si dhe për mbështetjen e palës çeke në të gjitha nivelet si parlamentare, ashtu dhe qeverisëse, për rrugën europiane të Shqipërisë.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.