400 aplikime për 12 ditë në Akademinë e Sigurisë, Mema: Më 1 mars nis kursi për ekselentët

TIRANË, 12 shkurt/ATSH-A. Fortuzi/ – Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvilloi të martën një seancë dëgjimore me Kreun e Akademisë së Sigurisë, Bilbil Mema, lidhur me ndryshimet ligjore për “Policinë e Shtetit”, duke i hapur dyert e Akademisë së Sigurisë për të rinjtë që kanë përfunduar me rezultate të larta universitetin.

Gjatë seancës dëgjimore, kreu i Akademisë së Sigurisë, Bilbil Mema u shpreh se “Akademia e sigurisë është rindërtuar, rihapur në vitin 2015, pas një periudhe të gjatë të mbylljes së saj në nivelet e Arsimit të Lartë. Prej 10 vitesh nuk ka pasur Arsim të Lartë, por vetëm arsim bazë”. Në vitin 2015, tha Mema, si pasojë e një vakumi të madh të krijuar me gradat dhe uljen e nivelit të oficerëve të policisë, u gjykua nevoja për të rihapur akademinë dhe duke e transformuar nga akademi policie në akademi sigurie me një program të ri, që do të ishte i nevojshëm për të plotësuar kërkesat e kohës”.

“Ne kemi nxjerrë brezin e parë të studentëve që kanë përfunduar bachelor në siguri dhe hetim dhe këtë vit kemi brezin e dytë. Programet janë sipas ligjit të ri të Arsimit të Lartë. Të gjitha institucionet që ka Akademia janë në përputhje me ligjin e Arsimit të Lartë”, tha Mema.

“Programet e akademisë miratohen nga Ministria e Arsimit dhe nga Ministria e Brendshme. Në total janë 60 programe studimi, duke futur këtu dhe nivelin bachelor, master profesional e shkencor. Jemi duke punuar për të çelur edhe programe të tjera. Kemi bashkëpunim të ngushtë me Akademinë e Hungarisë”, tha Mema.

Duke folur për ndryshimet ligjore, Mema i konsideroi mjaft të vlefshme për të rritur edhe më tej nivelin dhe performancës në Policinë e Shtetit. “Ligji hyri në 31 janar në fuqi, më 1 shkurt nisi zbatimi dhe ne sipas urdhrit të Ministrisë së Brendshme, u hap portali i aplikimeve tek Akademia e Policisë. Që kur ka nisur zyrtarisht zbatimi i urdhrit të Ministrit të Brendshëm janë 400 aplikime për 150 vende që kemi shpallur si vende vakantë”, tha Mema.

“Në datën 15 mbyllen aplikimet dhe komisioni i caktuar nga Akademia e Sigurisë do të bëjë përzgjedhjen sipas formulës që kemi shpjeguar. Dhe hapi dytë, janë gjuha angleze, e më pas kontrolli mjekësorë e fizik. Ne mendojmë që më datën 1 mars të kemi nisur kursin për daljen oficer të policisë për këto persona që janë ekselentë. Për këtë kurs kemi përgatitur një kurrikulë të veçantë, një program të veçantë për hetim policor”, tha Mema.

Gjatë diskutimeve në Komision, u lëshuan dhe akuza të ndërsjella mes opozitës dhe mazhorancës. Kryetarja e Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj, në përgjigje të akuzave të deputetit Demokrat, Flamur Noka, se “polica është peng i vullnetit politik”, u shpreh se, “opozita e sotme, qeveria e kaluar, ka një meritë të veçantë për degradimin edukativ të policisë, duke mbyllur për 10 vite Akademinë e Sigurisë”.

“E ndërsa sot kemi arritur të kemi një zbulueshmëri nga policia 86.6% dhe punonjës policie më të përgatitur e trajnuar, ju si opozitë na latë 10 vite pa Akademi Sigurie, duke krijuar në polici të paarsimuar dhe vetëm me kurse të herëpashershme”, nënvizoi Felaj. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.