Vendimi për Dritan Dajtin, Meta: Institucionet të hetojnë çështjen

82

TIRANË, 11 shkurt ATSH/ – Presidenti i Republikës, Ilir Meta mbështeti sot fuqimisht reagimin dhe thirrjen e ambasadorit të Bashkimit Europian, Lugi Soreca, që KLGJ-ja dhe Prokuroria e Përgjithshme të vihen në lëvizje për të vlerësuar dhe për të verifikuar dhe hetuar vendimin e Gjykatës së Apelit që zhbëri vendimin me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin dhe e dënoi atë me 25 vite burg.

“Mbështes fuqimisht reagimin dhe thirrjen e ambasadorit të Bashkimit Europian, zoti Soreca, që KLGJ-ja dhe Prokuroria e Përgjithshme të vihen në lëvizje për të vlerësuar dhe për të verifikuar dhe hetuar çështjen në fjalë”, tha Presidenti Meta në një prononcim për mediet.

Ndërsa i pyetur për vendimin e mazhorancës, e cila ka rrëzuar dy kandidaturat e Presidentit të Republikës për kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe për zërat që flasin për Anastas Angjelin si një kandidiaturë të mundshme, Meta u shpreh i bindur se, “që të gjitha zgjidhjet dhe propozimet e Presidentit të Republikës synojnë forcimin e institucioneve të pavarura, dhe gjithmonë këtë gjë do të synojnë. Synojnë forcimin e sundimit të ligjit në vend dhe jo të sundimit të shumicave”.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.