Valverde mohon problemet fizike të Messi-t

TIRANË, 11 shkurt /ATSH/ – Trajneri i “Barcelonës” Ernesto Valverde hodhi poshtë zërat se Lionel Messi nuk ishte i aftë për të luajtur në barazimin 0-0 të së dielës me “Athletic Bilbao”.
Udhëheqësit e La Liga u ndalën në një barazim, i treti në të gjitha kompeticionet, pasi nuk mundën të shënonin në stadiumin “San Mamés”.

Messi qëndroi në stol në barazimin 1-1 në gjysmëfinalen e “Copa del Rey” në ndeshjen e parë kundër “Real Madridit”, për shkak të goditjes së marrë në kofshë, por u kthye në formacion ndaj “Bilbaos”.

Ylli i Argjentinës ishte lojtari më i gjallë i “Barcelonës”, megjithatë ai dukej se nuk ishte ende në nivelin e tij të zakonshëm.

Duke folur për gazetarët, Valverde tha: “Messi është mirë dhe ai ka luajtur në 100 për qind. Ai ka pasur disa vështirësi, sepse i kemi pasur si skuadër, por kur ai luan, e bën këtë sepse është absolutisht i bindur se gjithçka është në rregull”.

/gj.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.