“Sofra Tiranase 2019” – Meta: Tirana promotore e civilizimit shqiptar

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ – Presidenti Ilir Meta mori pjesë sot dhe përshëndeti veprimtarinë artistiko-kulturore tradicionale “Sofra Tiranase 2019”, që u organizua në Pallatin e Kongreseve, ku u shpalosën vlerat më të mira të kulturës dhe traditës shumëvjeçare të këngëve dhe valleve të Shqipërisë së Mesme.

Në prani të anëtarëve dhe miqve të shoqatës “Tirana”, personaliteteve të shoqërisë, artit dhe kulturës kryeqytetase, si dhe përfaqësuesve të familjeve të shquara tiranase, Meta shprehu urimet në këtë datë të rëndësishme historike të përvjetorit të shpalljes të Tiranës si kryeqytet të Shqipërisë.

“Tirana shënon këtë vit edhe 405-vjetorin e saj të themelimit si qytet. Vendimi i Kongresit të Lushnjës për shpalljen e Tiranës si kryeqytet ka qenë një vendim i gjetur dhe largpamës. Tirana ia ka dalë me sukses të luajë rolin promotor të civilizimit shqiptar. Qyteti dikur i vogël, me arkitekturë modeste është shndërruar tashmë në metropolin ambicioz dhe qendrën më të madhe ekonomike, administrative, politike, universitare, mediatike, sociale dhe kulturore të vendit”, – theksoi Meta.

Përgjatë një shekulli, vijoi Meta, Tirana rezulton qyteti me transformimin më të madh urban dhe njerëzor të Shqipërisë, në të cilin sukseset dhe sfidat e përparimit janë të lidhura shpesh me arritjet e mbarë vendit.

“Traditat tiranase si bujaria, mikpritja dhe solidariteti njerëzor ishin faktorë që i bashkuan shqiptarët e gjithë trojeve në një diversitet kulturor të larmishëm dhe harmonik. Në këtë 99-vjetor ne përulemi me mirënjohje ndaj kontributit, historisë, mikpritjes dhe trashëgimisë kulturore të komunitetit tiranas”, – u shpreh Kreu i Shtetit.

Duke nënvizuar rolin dhe kontributet e Shoqatës “Tirana” dhe gjithë organizatave simotra të saj në Shqipëri, Presidenti Meta vuri në dukje se se “ato janë frymëzuesit e një shoqërie të shëndetshme si dhe mbrojtës e kultivues të vlerave tona qytetare, etno-kulturore, atdhetare e historike”.

Presidenti Meta evidentoi disa nga personalitetet dhe familjet tiranase, të cilat kanë kultivuar e mbajtur gjallë traditën dhe krenarinë e kryeqytetit, duke shtuar se “ata janë aq të shumtë, saqë koha nuk do të na ndihmonte për t’i përmendur të gjithë”.

“Për këtë arsye, nga numri pafund i qytetarëve të shquar të Tiranës, sot do të përzgjidhja për vlerësim njërin prej tyre. Falënderoj kryesinë e shoqatës tuaj që ma lehtësoi përzgjedhjen dhe propozoi për vlerësim dhe dekorim, pikërisht atë që udhëheq me pasion e përkushtim për dekada me radhë shoqatën e Tiranës, Arben Tafajn”, – tha Meta.

Presidenti Meta vlerësoi kryetarin e shoqatës “Tirana”, zotin Arben Tafaj me titullin “Për merita të veçanta civile” me motivacionin: “Për shërbimin e çmuar dhe aftësitë e larta drejtuese në dobi të interesit të qytetarëve, institucioneve vendore, vlerave demokratike të shoqërisë shqiptare; si dhe në ruajtjen e përsosjen e traditës e trashëgimisë kulturore të qytetit të Tiranës”./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.