Shqipëria, mes kompanive lidere në tregun botëror të fruta-perimeve

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ – Me moton “Prodhimet e freskëta shqiptare janë të parat në treg”, eksportuesit shqiptarë të fruta-perimeve morën pjesë në panairin ndërkombëtar FRUIT LOGISTICA​ në Berlin në datat 6-8 shkurt.

15 kompani shqiptare të mbështetura edhe nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, projekti i qeverisë zvicerane RisiAlbania dhe GIZ ishin pjesë e panairit më të madh për tregtimin e fruta-perimeve, duke ekspozuar vlerat e produkteve shqiptare për të siguruar kontrata të reja.

Panairi shërbeu si një mundësi e mirë për kompanitë shqiptare për të takuar kompanitë e mëdha eksportuese, për t’u ballafaquar me kërkesat dhe nevojat e tregut sa i takon cilësisë së produkteve.

Kompanitë shqiptare të përfaqësuara nga kompani që eksportojnë fruta-perime si gështenja, mollë, domate, speca, tranguj, hudhra, shalqi etj., realizuan rreth 200 takime me blerës potencialë, me ofrues të teknologjive të përpunimit, paketimit dhe ruajtjes së fruta-perimeve.

Kompanitë patën mundësinë për t’u njohur me kërkesat e tregjeve me vlerë të lartë, si Gjermania, Austria, Zvicra etj, ku një nga certifikimet e kërkuar shpesh është GlobalG.A.P, certifikim i cili është krijuar nga rrjetet e supermarketeve të mëdha në Europë. Disa prej përfaqësuesve të kompanive të mëdha që furnizojnë rrjetet e supermarketeve shprehën interes për të vizituar Shqipërinë së shpejti.

Pjesëmarrja në panair, përgatitja dhe potenciali i kompanive ka ardhur drejt përmirësimit. Së shpejti kompanitë do të takohen së bashku për të diskutuar mësimet e nxjerra, përmirësimet e mundshme që mund të bëhen në panairin e radhës.

“Kompanitë dhe fermerët shqiptare duhet të certifikohen dhe të rrisim standardet e produkteve për të qenë konkurrentë në treg. Eksportet shqiptare po rriten nga viti në vit në sasi dhe ne duhet të punojmë me plane afatgjata që do të orientojnë zhvillimin e bujqësisë shqiptare, duke investuar në cilësi dhe marketing për të siguruar edhe rritjen e fitimeve për fermerët”, – u shpreh zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimo Kote.

Mbi 3200 pjesëmarrës nga 90 vende të botës që nga prodhuesit, deri tek tregtarët, prezantuan në këtë panair prodhimet, shërbimet dhe zgjidhjet teknologjike që ofron sot ky sektor.

Në këtë drejtim projekti RisiAlbania po mbështet Agrobiznesin për të inkurajuar certifikimin në grup të produkteve të tyre. Nëpërmjet certifikimit GLOBALG.A.P happen mundësi shumë të mira për fermerët për t’u bërë pjesë e zinxhirit furnizues të BE-së.

Së bashku më Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural RisiAlbania do të organizojë në Tiranë gjatë edicionit të dytë të Agro-Tech Expo & Forum 2019 GLOBALG.A.P TOUR më 16 mars konferencën GLOBALG.A.P. Tour ku do të ofrojë informacion të dobishëm për grumbulluesit dhe eksportuesit e fruta-perimeve, prodhuesve, kooperativat, supermarketet, konsulentët dhe trupat certifikuese. /k.s/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.