Së shpejti në Qeveri statusi i minatorit, përfitojnë edhe ata që nuk kanë dalë në pension

TIRANË, 11 shkurt /ATSH-Gjergji Mima/ – Qeveria bashkë me Federatën e Sindikatës së Minatorëve do të përgatisë draftin për statusin e minatorit.

Kryetari i Federatës së Sindikatës së Punonjësve të Industrisë, Taf Koleci në një deklaratë për mediet lidhur me statusin e minatorit, u shpreh se “Qeveria bashkë me sindikata ka marrë përsipër që shumë shpejt të kalojë në qeveri dhe në parlament statusin e minatorit, ashtu siç është përgatitur nga grupet e interesit, sindikata dhe qeveria”.

“Drafti i dakordësuar është që do të përfitojnë të gjithë ata minatorë, të cilat kanë një vjetërsi pune mbi 10 vjet e 6 muaj. Edhe ata që kanë 7 vjet apo 6 vjet do të përfitojnë vjetërsinë e punës në bazë të këtij projektligji që do të dalë tani”, u shpreh Koleci.

Përveç vjetërsisë, minatorët tha Koleci, “përfitojnë edhe tek paga, e cila do të llogaritet me pagën minimale të vendit herë 1.4 që shkon rreth 380-400 mijë lekë pensioni. Do të llogaritet edhe fasha e të gjithë punonjësve që kanë dalë në pension që para viteve ’90 e deri tani në 2015. Edhe ata që kanë 2 vjet pa dalë në pension, edhe ata e përfitojnë”.

Ai u shpreh se drafti do të kalojë në fund të këtij muaji.

Koleci ka ftuar edhe sindikatat e tjera, të cilat kanë sjellë amendamentet e tyre që të vijnë dhe të ulen në tryezë.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithë minatorëve në të gjithë Shqipërinë kudo që ndodhen, që ata do të jenë të kënaqur me këtë projektstatus dhe këtë lëvizje që po bën Federata e Sindikatave të Shqipërisë së bashku me Konfederatën dhe grupet e interesit të minatorëve”, tha Koleci.

Ai gjithashtu theksoi se, “nuk do të lejojmë asnjë person që të shkelë rregullat dhe të dalë në protestë përpara zyrave qeveritare, grupe të caktuara që nuk kanë interesin e sindikatave”.

“Ne jemi grupi më i madh që përfaqësojmë të gjithë minatorët e Republikës së Shqipërisë, përfaqësojmë rreth 8 mijë veta”, tha Koleci.

Paraditen e sotme një grup minatorësh kanë protestuar sërish para Kryeministrisë duke kërkuar miratimin e statusit. Grupi i minatorëve ka paralajmëruar se do të futen në grevë në rast se nuk miratohet statusi, ndërsa i kanë lënë afat qeverisë që të plotësojë kërkesat e tyre deri më datë 22 shkurt./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.