Qytetarja nga Tirana gjen punë pasi iu drejtua platformës

TIRANË, 11 shkurt /ATSH – I. Vata/ – Qytetarja nga Tirana gjen punë pasi iu drejtua platformës shqipëriaqëduam.al, me ndihmën dhe ndërmjetësimin e Shërbimit Kombëtar të Punësimit në Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë.

Koordinatorja e platformës prezantoi rastin e qytetares Sanije Selmanaj nga qyteti i Tiranës e cila ishte në kërkim të një alternative për punë dhe nuk kishte arritur të gjente prej kohësh.

“Shërbimi Kombëtar i Punësimit në Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë shqyrtoi alternativat në subjekte private në kryeqytet dhe ndërmjetësoi punësimin e saj në një subjekt privat. Ajo ka filluar punë më 1 shkurt të këtij viti”, u shpreh ajo, ndërsa qytetarja falënderoi platformën.

Kryeministri Rama u shpreh se platforma funksionon edhe si një instrument ndërmjetësimi për qytetarët që duan punë dhe që janë të gatshëm të punojnë në sektorin privat.

“Platforma nuk bën ndërmjetësime për punën në shtet, pasi punësimi në shtet është një proces tjetër i cili ka problemet e veta, ka boshllëqet e veta i cili ka të metat e veta dhe padyshim është larg së qeni i mirekuilibruar, por është gjithmonë e më shumë një proces që shkon përmes mekanizmave dhe po konsolidohet dhe më tepër. Me Paktin për Universitetin të gjitha vendet e lira të punës në shtet do të kalojnë në dispozicion të më të  mirëve dhe janë ata që do të zgjedhin vendin e punës”, tha Kryeministri.

Në vijim Rama thekson se kush do punë pa kusht dhe kush i thotë punës punë, qoftë kur është në shtet dhe qoftë kur është privat, le t’i drejtohet platformës dhe platforma bën ndërmjetësime me zyrat e punës sipas kategorive dhe mundësive që ofrohen. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.