Protesta, Majko: Studentët nuk shikonin veten të përfaqësuar tek opozita

54

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ – Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko theksoi se “protestat e studentëve në Shqipëri ishin shqetësuese, sepse ishin një reagim ndaj sistemit politik që është ndërtuar që nga vitet ’90 dhe pasqyronte opinionin publik ndaj politikës shqiptare”.

Ministri i Diasporës, që ndodhej në Uashington për Mëngjesin e Lutjeve, tha se Samiti për Diasporën do të jetë një forum për përfaqësuesit e saj, duke pranuar se shumë nga arsyet për largimin e tyre kanë lidhje me politikën në Shqipëri. Në intervistën për VOA, Majko foli edhe për qëndrimin e Kryeministrit Edi Rama ndaj medias dhe për çështjen e negociatave Prishtinë-Beograd.

Mendoj se të gjithë kemi qenë nën reflektimin se çfarë duhet të bëjmë pasi lëvizja studentore ishte një lëvizje që realisht na shqetësoi të gjithëve. Unë, të them të drejtën, për herë të parë jam ndjerë i pasigurtë për atë që po ndodhte. Sepse nga një anë ndjeja që po takoja vetveten, ata ishin studentë që po ngriheshin karshi, ta themi troç fjalës, një sistemi politik që ishte ndërtuar pas viteve ’90-të, dhe që një pjesë e tyre mendojnë se është i kalbur, ashtu siç mendoja unë bashkë me shokët e mi në vitet ’90-të. Po ta vinit re, problemi më i madh aty nuk ishte se ata kundërshtonin qeverinë, madje ata nuk kërkonin as dorëheqje të qeverisë apo të ministrave të veçantë të qeverisë. Shqetësimi im më i madh ishte se ata nuk shikonin veten të përfaqësuar tek opozita. Dhe kjo sjell një problem të madh të opinionin publik me politikën shqiptare”, – theksoi Majko.

Ministri Majko tregoi edhe detaje nga masat që ka marrë qeveria e Shqipërisë për Samitin e Dytë të Diasporës.

“Dua të theksoj faktin që ky aktivitet është sidomos i diasporës. Nuk do të jetë thjeshtë një dialog midis një qeverie në pushtet dhe të ftuarve që do të vijnë. Ne jemi të vetëdijshëm se brenda politikës shqiptare ekzistojnë shumë arsye se përse ata që kemi ftuar në samitin e diasporës janë larguar nga vendi. Kështu që jemi shumë të kujdesshëm për të mos bërë sikur po bëjmë ndonjë heroizëm të madh me ato çfarë kemi bërë. Kemi bërë shumë, por mendoj se jemi shumë vonë dhe vrapi në këtë rast është prapë vonë”, – vijoi ai.

I pyetur rreth reagimeve dhe kritikave të Kryeministrit Edi Rama ndaj medias, Majko theksoi se: “90 për qind e atyre që ai kritikon shumë ashpër, realisht kanë qenë shokë të tij, shokë bile shumë të afërt, një pjesë e tyre e kanë ndihmuar në shkallë të ndryshme të karrierës, siç e thonë tani së fundmi. Ne duhet ta bëjmë këtë diferencë. Për sa i përket mënyrës se si u shpreh ai për Zërin e Amerikës, unë kam rezervat e mia. Rezervat fillojnë që nga mënyra se si unë e kam marrëdhënien me Zërin e Amerikës. Por besoj se në të tilla raste, mirëkuptimi është gjëja më e veçantë, që ky ekip i veçantë që njoh unë në Zërin e Amerikës ka dhe duhet të ketë me politikën shqiptare. Mendoj se Zëri i Amerikës e ka atë që ka në gjithë historinë e gjithë medias shqiptare dhe në marrëdhënien me të vërtetën me publikun shqiptar. Edhe kur ne ndonjëherë e tejkalojmë atë që konsiderohet si e tejkaluar, mendoj se këtu duhet të ketë mirëkuptim dypalësh. Unë e thashë, Edi Rama është një antikonformist dhe shpesh në marrëdhëniet me median ai është më shumë gazetar sesa politikan”.

I pyetur rreth marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ministri Majko u shpreh pro dialogut dhe marrëveshjes mes tyre, ashtu sikurse kishin apeluar edhe dy ambasadorët respektivë të Kosovës dhe Beogradit.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.