Përkujtohet shkencëtarja e parë moderne shqiptare, Sabiha Kasimati

TIRANË, 11 shkurt /ATSH – I. Vata/ – Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka kujtuar sot në ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë, shkencëtaren e parë moderne, Sabiha Kasimatin.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi shprehet se dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë, e festuar më 11 shkurt, zbatohet nga institucionet bashkëpunuese dhe partnerët e shoqërisë civile që synojnë të promovojnë gratë dhe vajzat në shkencë.

“Kjo ditë është një mundësi për të promovuar qasje të plotë dhe të barabartë dhe pjesëmarrje në shkencë për gratë dhe vajzat. Barazia gjinore është një prioritet global dhe mbështetja e vajzave të reja, arsimimi i tyre dhe aftësia e tyre e plotë për të dëgjuar idetë e tyre janë leva për zhvillim dhe paqe. Kjo ditë është një kujtesë se gratë dhe vajzat luajnë një rol kritik në komunitetet e shkencës dhe teknologjisë dhe se pjesëmarrja e tyre duhet të forcohet”, shpjegon KMD.

Për këtë arsye, KMD dëshiron të kujtojë të parën shkencëtare moderne shqiptare, Sabiha Kasimatin, e cila ka bërë një punë të stërmadhe si biologe në përmbushjen e mijërave skedave, koleksioneve të Faunës ihtike në ujërat e ëmbla të vendit.

Në natën e 26 shkurtit 1951, të lidhur me tela me gjemba, 22 persona u pushkatuan një nga një diku pranë urës së Beshirit dhe trupat e tyre u hodhën të gjithë në një gropë të madhe të hapur disa ditë më parë.

Sabiha Kasimati, qe e vetmja grua e pushkatuar mes 22 burrave, dhe duke qenë pushkatuar e fundit, atë nuk e kapi plumbi direkt, por u mbyt me dhunë krah ulërimave të saj që tmerruan të gjithë banorët e zonave përreth, deri sa dha frymën e fundit.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.