Pas 10 vjetësh, merr certifikatën e pronësisë së shtëpisë tironse qindravjeçare

TIRANË, 11 shkurt /ATSH/ – Lindita Fortuzi, një qytetare e Tiranës, mori certifikatën e pronësisë nga ZVRPP Tiranë, për banesën e saj qindravjeçare, falë platformës së bashkëqeverisjes.

Fortuzi u shpreh se kishte 10 vjet që kishte aplikuar për certifikatë pronësie, për një shtëpi të trashëguar autoktone tiranase. “Kisha shkuar shumë herë po asgjë nuk ishte bërë. Menjëherë sapo iu drejtova platformës së bashkëqeverisjes m’u dha certifikata që kam në dorë”, tha ajo.

Kryeministri Rama theksoi se, “për të gjithë ata që s’e njohin historinë e Tironës, familja Fortuzi është një familje e madhe me rrënjë të kahershme në Tiranë. Dhe është për të ardhur keq që edhe për një shtëpi që është e vjetër sa vetë Tirana të kishte probleme për regjistrimin”.

“Jemi në një proces të rëndësishëm transformimi të agjencive të hipotekës dhe ALUIZNI-t dhe po punojmë për bazën dixhitale të të dhënave. Pasi kemi marrë zotimin që deri në fund të mandatit dokumentet e pronësisë do të jenë një procedurë e lehtë dhe e dixhitalizuar”, tha Kryeministri.

“Besoj se do t’ia dalim dhe do të vijë dita që platforma e bashkëqeverisjes s’do të jetë më vendi ku shumica e ankesave lidhen me problematikat e pronësisë, por këto raste do të jenë minimale”, theksoi Rama.

“Përmes platformës bashkëqeverisja është reale”, u shpreh Kryeministri, duke nënvizuar se, “zonja Fortuzi me siguri i ka bërë të gjitha përpjekjet për të marrë një zgjidhje. Platforma nuk lejon që ankesat të harrohen dhe nuk lejon që fjalët e qytetarëve t’i marrë era, sepse e përcjell ankesën aty ku duhet”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.