“Njerëz të padukshëm”, profesioni i rrallë i Marinelës

97

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ – Marinela është restauruese në arkivin e shtetit dhe në Shqipëri nuk ka të dytë si ajo.

Kryeministri Edi Rama ka lançuar në “Facebook”, një rubrikë të re të quajtur “Njerëz të padukshëm”. Si nisje të rubrikës së tij, Kryeministri e nisi me historinë e veçantë të Marinelës e cila ka përfunduar studimet e larta për pikturë ndërsa kryen ushtron një profesion të veçantë. Kjo rubrikë ka për qëllim të promovojë njerëzit e zakonshëm që kryejnë punë vërtet për t’u admiruar.

“Është një mëngjes që nis me tensionin e punës. Është ai momenti kur nuk jam e qetë nëse puna gjatë javës ka vazhduar ashtu sikundër unë e kam menduar apo jo. Momenti i parë që unë prek një dosje, sinqerisht ndjej dhimbje, ndjej kohën, ndjej të kaluarën. Unë jam personi i cili jap durim dokumentit të durojë, le të themi ato torturat e vogla mekanike apo kimike apo kirurgjikale që unë ushtroj mbi to. Askush nuk arrin dot të kuptojë vibracionin e zemrës time momentin që jam duke prekur dokumentet. Ky pasion për restaurimin ka lindur shumë çuditshëm. Unë studioja për artet dhe më lindi dëshira e panjohur për restaurimin, të njihja mbi bojërat mbi koleksionin mbi restaurimin do ta realizonte këtë”, – thotë Marinela.

“Këtu kemi Adbyl Frashërin, Aleksandër Xhuvanin, Ahmet Zogun të cilët ndoshta nuk do të kisha pasur fatin ti takoja ndonjëherë kaq shpesh sa i takoj veprat e tyre, marrëveshjet e tyre apo letërkëmbimet e tyre për letërsinë apo për shtetin shqiptar. Vetëm ky profesion të ndihmon që të shkosh në të shkuarën. Certifikata e lindjes së Lasgush Poradecit ishte pothuajse e ndarë pjesë pjesë nga mënyra e palosjes së saj. Unë shkruan ashtu sikundër autori shkruan. Unë fiksoj të gjithë shkronjat e tekstit. Dua vetëm qetësi në këtë moment, dua vetëm përqendrim dhe asgjë tjetër. Unë jam futur në një botë komplet tjetër, sepse ky dokument trashëgohet përjetësisht. Këtu kemi disa lekë të hershme. Këtu janë disa zarfe që mbajnë disa letra brenda tyre. Mund të jetë, shpresojmë ndonjë historie e bukur dashurie”, rrëfen ajo.

Marinela, unike në llojin e saj, tregon se profesioni i rrallë e bën të ndjehet ndryshe por ka edhe nga ato kolege që e kundërshtojnë duke e konsideruar thjesht një gjë artizanale.

“Profesioni im mund të jetë një në dy milionë e gjysëm shqiptarë. Kur unë flas për restaurimin, jemi kështu grup kolegësh, unë filloj me dëshirën e madhe dhe e shohin që unë nxehem nga kundërshtimet, sepse nuk e konsiderojnë profesion le të them. Vazhdojnë të mendojnë se është diçka artizanale. Unë jam ajo e padukshmja. Dokumenti përpiqet të më sfidojë, ndërsa unë përpiqem të kujdesem, të kujdesëm për të. Mendoj shpesh për vete që jetoj dy jetë, një jetë këtu dhe një jetë jashtë”, – thotë Marinela.

Rama ka ftuar të gjithë lexuesit të shkruajë në adresën “njereztepadukshë[email protected]” për ti zbuluar publikut njeriun e tyre të panjohur.

z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.