Ngjarja e Kavajës, Spiropali: Nisma për ashpërsimin e Kodit Penal

97

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ – Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka paralajmëruar se mazhoranca do të ndërmarrë nisma të cilat pritet që të ashpërsojnë Kodin Penal, duke ju referuar rastit të Kavajës.

Në një intervistë televizive, Spiropali theksoi se rasti i vajzës nga Kavaja duhet t’i lihet në dorë organeve ligjzbatuese, për të vendosur mbi këtë rast.

“Unë nuk do të komentoj asnjë çast rastin, sepse fjalën e fundit e kanë thënë familjarët e saj dhe nuk do të flas më për një çështje e cila tashmë duhet t’i lihet drejtësisë dhe familjarëve të saj. Është fatkeqësi sesi opozita në çdo rast përpiqet të gjejë një horr, një pervers, për ta ngritur si flamur për kundërshtarët e tij”, – theksoi Spiropali.

Ndër të tjera ministrja është shprehur se menjëherë pas denoncimit të këtij rasti Policia ka reaguar në mënyrë mjaft të shpejtë.

“Dua të theksoj se Berisha nuk ka reaguar për institucionet dhe për të zbuluar çfarë kishte ndodhur, por për të goditur politikisht, ai ka folur pasi janë ndaluar djemtë nga policia. Strategjia e Sali Berishës dhe opozitës është kjo. Nuk është hera e parë dhe as e fundit”, – u shpreh Spiropali.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.