Meta: Me rëndësi zbatimi i Kodit të Punës

99

TIRANË, 11 shkurt ATSH/ – Ka ardhur koha që të sanksionohet me ligj që në rastet e pushimeve të padrejta nga puna, fatura e përballimit të dëmit t’i kalojë në ngarkim zyrtarit që ka marrë vendimin e padrejtë dhe që gjykata e ka konstatuar si shkelje. Dëmi nuk mund t’i ngarkohet më taksapaguesve shqiptarë, të cilët nuk kanë asnjë përgjegjësi për këtë situatë, përkundrazi janë të dëmtuarit kryesorë.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë sot në Vlerësimin Kombëtar Tematik të Qendrës për Çështjet e Informimit Publik ku u diskutua “Shqyrtimi Gjyqësor Administrativ në Republikën e Shqipërisë 2017-2018”, me temë të veçantë “Marrëdhëniet e Punës dhe Shqyrtimi Gjyqësor”.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Presidenti theksoi se “legjislacioni ynë që rregullon marrëdhëniet e punës është i plotë, por cilësia e zbatimit të tij në sektorin publik, është ende shumë problematike. Klasa politike miraton ligje dhe raportojnë përpara organizmave ndërkombëtare se ligjet e Shqipërisë janë me standarde europiane, por nga ana tjetër zbatimi i tyre bëhet sipas dëshirës apo interesit të ngushtë dhe kalimtar”.

Shqipëria, tha Meta, “realizoi një reformë ligjore në administratën publike, miratoi statusin e ri të nëpunësit civil dhe përmirësoi ndjeshëm Kodin e Punës. Megjithëse legjislacioni u përmirësua ndjeshëm dhe u krijuan standarde për garantimin dhe mbrojtjen e marrëdhënieve të punës, praktika e analizuar nga rezultatet që na sjell sot INFOÇIP-i, na çojnë në konkluzionin se sektori publik këto ligje nuk i ka zbatuar siç duhet, për të mos thënë që në shumë raste i ka neglizhuar në mënyrë të vazhdueshme ato”.

“Numri në rritje i konflikteve gjyqësore me objekt marrëdhëniet e punës, e kombinuar nga ana tjetër, me një trupë gjyqësore ende të paplotësuar sipas kërkesave të ligjit, ka krijuar vonesa në shqyrtimin gjyqësor, jo vetëm të këtyre çështjeve, por në tërësi duke sjellë kështu shkelje të standardit kushtetues, si dhe të parashikimeve të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe të garancive për një gjykim të shpejtë, të drejtë dhe brenda një afati të arsyeshëm”, tha Meta.

Studimi që INFOÇIP-i prezanton sot reflekton se, gjatë viteve 2017-2018 në Gjykatën e Apelit Administrativ, shqyrtimi i çështjeve të marrëdhënieve të punës përbën 30% të totalit të vendimmarrjes së kësaj gjykate.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.