Mbyllja e guroreve në malin e Krujës për ta shndërruar në një zonë të gjelbër

138
TIRANË, 11 shkurt /ATSH/ – Në një bashkëbisedim me prefektin dhe të gjithë drejtuesit rajonal të institucioneve shtetërore të qarkut të Durrësit, në Fushë-Krujë, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi tha se reformat e qeverisë flasin për ndryshime të mëdha. Kjo është arsyeja pse, sipas tij, në vitin 2017 qytetarët i besuan kësaj qeverisjeje më shumë vota, megjithatë pranon se ka reforma që i duhen shpjeguar më mirë komunitetin.
“Padyshim që gjërat janë shumë më ndryshe se kur ne morëm pushtetin në 2013-n. Janë shumë herë më ndryshe edhe nga dita kur ne ishim në aleancë me forcë tjetër politike, por me atë që presin qytetarët ne vazhdojmë të jemi në disnivel dhe për këtë ka një tregues që e dëshmon. Janë të gjitha komunikimet që kemi nëpërmjet platformës së bashkëqeverisjes. Është një platformë që ka dëshmuar se ka hyrë në jetën e komunitetit, ka dëshmuar se i ka dhënë zgjidhje disa mijëra rasteve kur qytetarët e thjeshtë e kanë pasur të vështirë të gjejnë derën e deputetit, ministrit por edhe të drejtorit lokal, dhe kur kanë shkruar në platformë i është dhënë zgjidhje”, tha ministri Klosi.
Ai theksoi se reformat kanë pasur sukses sepse të gjithë janë trajtuar në mënyrë të barabartë, si reforma e energjisë elektrike apo ajo në arsim për tekste falas për të gjithë njësoj, pavarësisht ngjyrave politike. Por, ministri thotë se qeveria është e vetëdijshme se ka ende për të bërë për të mirën e komunitetit.
“Ne do të ndërmarrim një aksion ku përfshihen 4 ministritë: Ministria e Energjetikës, ajo Turizmit, Ministria e Brendshme dhe ajo e Financës, për të përfunduar aksionin e mbylljes së guroreve në malin e Krujës. Me urdhër të Kryeministrit ne kemi organizuar të gjithë inspektoriatet brenda këtyre 4 ministrive për të bërë një evidentim të të gjitha problematikave dhe ju garantoj që kësaj radhe mbyllja e guroreve të zonës së shpallur monument natyre do të realizohet”, u shpreh Klosi.
“Për këtë ka nevojë shumë që nga prefekti, nënprefekti, drejtuesit lokale, kryetarët e bashkive dhe të gjitha institucionet e tjera për të bërë një aksion qytetar që nga procesi i identifikimit të problematikave, spostimi i atyre guroreve, si shembull se si mund t’i kthehemi vlerave të rehabilitimit, të kthehet në një zonë të gjelbër, të bukur, me vlera, në një zonë qetësie e munguar prej kohësh”, përfundoi ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi. /a.a/ /a.g/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.