Mbi 34% më shumë gra kryefamiljare, përfituese të ndihmës ekonomike

TIRANË, 11 shkurt /ATSH-A.ALLA/ – “Skema e re e ndihmës ekonomike po mbështet gratë kryefamiljare dhe kategoritë më në nevojë, duke larguar njëherë e mirë abuzuesit nga skema e ndihmës ekonomike”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë dëgjesës në komisionin e Shëndetësisë në Kuvend.

Mbi 34% më shumë gra kryefamiljare përfituan nga skema e ndihmës ekonomike në dhjetor 2018, krahasuar me fillimin e vitit 2018.

Duke u ndalur tek skema e vjetër, e cila nuk kishte asnjë mekanizëm për të kapur abuzimet, Manastirliu tha se sot skema e ndihmës ekonomike nuk ka më kritere përjashtuese dhe nuk mund të përdoret për përfitime politike.

“Kjo skemë e re ju dha mundësinë 18.730 familjeve të aplikonin për herë të parë në skemë, vetëm me heqjen e kritereve përjashtuese”, tha Manastirliu.
Ministrja theksoi se, 60.052 familje, ose mbi 93% e familjeve aplikuese përfitojnë sot nga skema e ndihmës ekonomike. Sipas Manastirliut, skema e re e ndihmës ekonomike hoqi pagesat e pjesshme, duke e dyfishuar masën e ndihmës ekonomike.

”Kriteret e vlerësimit për përfitimin e ndihmës ekonomike të përcaktuara me ligj kishin elementë të cilët përjashtonin familje të varfra për të përfituar ndihmën ekonomike. Studimi i Bankës Botërore që ka mbështetur këtë reformë ka treguar se nga zbatimi i kritereve përjashtuese që kjo skemë e ndihmës kishte, përjashtoheshin 60% e familjeve të varfra. Kjo sillte që me kriteret që ishin në skemën e mëparshme të ndihmës ekonomike procesi i vlerësimit për familjet në nevojë ishte tërësisht subjektiv dhe abuziv nga bashkitë dhe administratorët socialë”, tha Manastirliu.

Ajo vijoi se nga kjo papërgjegjshmëri, rezultuan që në njësitë pilot ishin më shumë se 18 mijë familje të cilat nuk përfitonin ashtu siç ligji parashikonte.

“Gjithashtu nuk kishte asnjë sistem elektronik për menaxhimin e përfitimit të ndihmës ekonomike, procesi bëhej në bazën e letrave të paverifikuara nga institucionet përkatëse. Nuk kishte një sistem të ngritur, i cili padyshim sillte dhe ineficiencë në aplikimin dhe përfitimin e pagesës. Aplikuesit për ndihmë ekonomike dhe pse të varfër duhet të përballeshin me kostot e marrjes dhe depozitimit të një numri dokumentesh pranë administratorit shoqëror”, përfundoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.