LONDËR – May kërkon kohë për negociatat me BE për Brexit

LONDËR, 11 shkurt /ATSH-ANSA/ – Kryeministrja britanike, Theresa May do të kërkojë nga Parlamenti më shumë kohë në përpjekje për të arritur një marrëveshje të re me BE-në mbi Brexit, veçanërisht në lidhje me mekanizmin ‘’backstop’’ në kufirin midis Irlandës dhe Irlandës së Veriut, thotë BBC.

Si shpërblim kryeministrja May i premtoi Parlamentit një votim të ri për Brexit, nëse një marrëveshje e re me Bashkimin Europian nuk do të jetë gati deri në fund të shkurtit.

Marrëveshja e mëparshme, e arritur pas negociatave të gjata, është hedhur poshtë në Westminster dhe nëse nuk zëvendësohet, opsioni i vetëm do të jetë një dalje nga BE ‘’pa marrëveshje’’.

May po përpiqet të bindë BE që të pranojë një mekanizëm tjetër, por Brukseli (dhe Dublini) deri më tani nuk kanë pranuar negociata të reja.

Nëse nuk ka marrëveshje të reja, sipas gjasave, nga e mërkura e ardhshme, kryeministrja do t’i drejtohet Parlamentit duke kërkuar më shumë kohë për të negociuar./   /os/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.