Lirohen ambientet e Fakultetit të Drejtësisë – Dekani Hoxha: Nesër fillon rregullisht mësimi

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ – Studentët dhe pedagogët e Fakultetit të Drejtësisë do të zhvillojnë nesër mësim në ambientet e këtij fakulteti.

Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha, tha sot për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) se “grupi i studentëve të ngujuar, që prej orës 19:30 i ka liruar ambientet e fakultetit”.

“Nesër në fakultetin tonë do të fillojë rregullisht mësimi, për këtë janë njoftuar studentët dhe pedagogët”, – nënvizoi dekani Hoxha.

Sipas tij, kishte ardhur koha që të zbatohej vullneti i shumicës së studentëve që donin të bënin mësim dhe ky grup i vogël studentësh të lironte ambientet e fakultetit.

Mësohet se administrata e Fakultetit të Drejtësisë ka sistemuar në auditorë bankat e nxjerra në korridore nga studentët që prej nisjes së ngujimit.

Lirimi i ambienteve të fakultetit erdhi pas disa kërkesave që studentët i drejtuan dekanit Artan Hoxha. Ata kanë kërkuar shtyrjen e sezonit akademik në përputhje me orët e humbura, si dhe zëvendësimin e këtyre orëve. Gjithashtu kanë kërkuar shtyrje të afatit për dorëzimin e dokumenteve për bursë dhe përgjysmimin e tarifave dhe mospenalizimin e studentëve protestues.

Pas rreth dy muajve studentët kanë shprehur vullnetin që në këtë fakultet të kthehet normaliteti. /k.s/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.