Lezha, pjesë e projektit “MD.net” për nxitjen e ekonomive të vogla lokale

89

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ – Shoqata e Bashkive zhvilloi në Lezhë takimin e Partnerëve të Projektit “MD.net”, i financuar nën thirrjen Interreg MED, së bashku me 12 partnerë të tjerë nga disa vende të ndryshme të Europës.

Projekti synon nxitjen e ekonomive të vogla lokale përmes mbështetjes së vlerave që përmban Dieta Mesdhetare, si pasuri jomateriale e njerëzimit e mbrojtur nga UNESCO.

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive, Agron Haxhimali, foli mbi potencialin e Zonës së Zadrimës, e cila me produktet e saj bujqësore e blegtorale dhe agrobiodiversitetin mbetet një zonë me karakteristika të veçanta.

Kryetari i bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj, u ndal gjerësisht tek prodhimet e Lezhës dhe kulinaria.

Duke specifikuar artin e të gatuarit si në Zadrimë, Shëngjin apo Tale, Frrokaj garantoi donatorët se Lezha ka një standard të lartë te cilësia e prodhimit të ushqimeve dhe gatimit, ndaj ftoi miqtë e vendeve të huaja që ishin në takim, të promovonin atë që me të vërtetë ofron Lezha. /k.s/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.