Kontrata pune për 200 më të mirët e programit kombëtar të praktikave të punës

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/-Zëvendësministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Shpat Kolgega, tha se Programi Kombëtar i Praktikave të Punës është një mundësi fantastike për çdo student që kërkon të nisë karrierën e tij.

Në një intervistë dhënë për ERTV, Kolgega tha se studentët mund të aplikojnë shumë thjeshtë. Vetëm në 5 minuta mund të kryejnë aplikimin online. Ai sqaroi se pas përfundimit të aplikimit nga ana e të gjithë studentëve, e gjithë platforma do të shpërndajë aplikimet në drejtoritë përkatëse të ministrive, bashkive apo shoqërive tregtare. Ndryshe nga vitet e kaluara, zv/ministri u shpreh se “të rinjtë janë në fokus të politikave qeveritare. Kjo është një mundësi shumë e mirë për studentët. Ky nuk është një program vetëm për ekslentët, por një program synon të zgjedhë më të mirët dhe ne do të përpiqemi të zgjedhim më të mirët. Ky është një program 4-vjeçar që në 2014 dhe një eksperiencë tashmë e konsoliduar. Vitin e kaluar kishim 600 vende të lira për praktikë ndërsa sot kemi rreth 2 mijë vende.

Kolgega sqaroi se pas kryerjes së praktikës 3-mujore, 200 të rinjve do iu jepet mundësia për të lidhur një kontratë pune 1-vjeçare pranë institucioneve shtetërore apo shoqërive tregtare.

Pjesë e këtij programi mund të bëhen të rinjtë nga mosha 21 në 26 vjeç, të cilët duhet të kenë minimalisht një diplomë të nivelit “bachelor”. Ata mund të aplikojnë online në praktika.arsimi.gov.al. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.