Koncesionet në 2019 – Vlera totale e kontratave 3% e nivelit të të ardhurave

TIRANË, 11 shkurt /ATSH/- Zv.ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Albana Shkurta, u shpreh se për vitin 2019 vlera totale e kontratave të Partneritetit Publik Privat (PPP) është parashikuar 3% e nivelit mesatar të të ardhurave.

Gjatë diskutimit sot në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese dhe Mjedisit për ndryshimet në ligjin për koncesionet, Shkurta tha se, ndryshimet ligjore që diskutojmë sot, vijnë në koherencë të plotë me ndryshimet e bëra në buxhetin organik i cili përcakton se, Ministria e Financave shqyrton dhe miraton paraprakisht të gjitha kontratat koncensionale dhe të PPP ku shuma e përgjithshme e pagesave të tyre nuk duhet të tejkalojë kufirin 5% të të ardhurave tatimore të vitit paraardhës buxhetor. Në rast të tejkalimit të këtij kufiri Këshilli i Ministrave merr masa korrektuara në për tu kthyer brenda kufirit të lejueshëm.

Ndryshimet ligjore në pr.ligjin për koncesionet konsistojnë në moslejimin e kontratave të PPP, të pakërkuara, por theksoi Shkurta “nuk mohohet dhënia e kontratave të ardhshme koncesionare për rrugët, por vetëm ato në rast se mungon një ofertë zyrtare”. /e.xh//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.