Komisioni i Sigurisë miraton ratifikimin e protokollit të aderimit të Maqedonisë së Veriut në NATO

82

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/- Komisioni për Sigurinë Kombëtare diskutoi dhe miratoi projektligjin “Për ratifikimin e protokollit të traktatit të atlantikut verior për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Projektligji synon ratifikimin e protokollit të Traktatit të Atlantikut të Veriut për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nënshkruar më 6 shkurt në Bruksel.

Traktati i Atlantikut Verior, si dokumenti kryesor themelues i NATO-s, në nenin 10 të tij parashikon mënyrën e anëtarësimit të vendeve të reja në këtë Aleancë. Ky nen parashikon në mënyrë të qartë se vendimi për anëtarësimin e shteteve të reja merret me unanimitet nga ana e shteteve anëtare.

Vendet anëtare të NATO-s vendosën në takimin e krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të Aleancës, të mbajtur më 11-12 korrik 2018 që t’i akordojnë Republikës së Maqedonisë së Veriut ftesën për t’u anëtarësuar në NATO.

Kjo ftesë erdhi në vlerësim të vullnetit të vazhdueshëm politik të Republikës së Maqedonisë së Veriut për t’u anëtarësuar në NATO, reformave të ndërmarra nga ky vend në rrugën drejt anëtarësimit, angazhimit të këtij vendi për përballimin e sfidave të sigurisë si dhe angazhimi për të përfunduar marrëveshjen historike lidhur me emrin, ndërmjet Athinës dhe Shkupit./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.