Komisioni i Edukimit, dëgjesë me pedagogët për çështje të Arsimit të Lartë

TIRANË, 11 shkurt /ATSH – I. Vata/ – Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit ka zhvilluar seancë dëgjimore me Asamblenë e Pedagogëve për të diskutuar në lidhje me problematikat e Arsimit të Lartë.

Kryetarja e Komisionit të Edukimit, Albana Vokshi kërkoi të dijë nëse ka pasur dhunë të ushtruar ndaj studentëve të Fakultetit Filologjik dhe drejtoi pyetje për takimet në lidhje me Paktin me Universitetin.

Deputeti i LSI-së Xhezair Rrokaj tha se koncepti i grupit të interesit është një koncept demokratik, por grupet e interesit nuk janë dëgjuar.

“Grupet e interesit u bënë sikur u dëgjuan. Grupet e interesit nuk kanë të bëjnë me marrëdhënie për të zhvatur apo për të qëndruar në mënyrë demokratike në krye të institucioneve, por është thjesht dhe vetëm që ligjet në shoqërinë e demokratike, vendimet, nuk merren pa pyetur grupet e interesit. Ajo që ka ndodhur me këtë ligj është fakti se grupet e interesit u bënë sikur u dëgjuan, nuk u morën parasysh të gjitha mendimet kryesore që ato i shfaqën gati në një mijë faqe. Pati një mënyrë tinëzare mes qeverisë dhe grupeve të interesit, ku rolin kryesor e luajtën draftbërësit”, tha ai.

Ndërsa, pedagogu Mark Marku ka sqaruar sot në komisionin e Medias akuzuat e artikuluara pak ditë më parë ndërsa pedagogët e Filologjikut ishin në grevë.

Më tej, Marku shtoi se policët kanë ardhur dy herë për të bërë presion tek Filologjiku.

“Ishte në shkelje të plotë të ligjit. Normalisht nuk ishim të frikur. Të çosh policë të trembësh studentët nuk është normale, vetëm shkel ligjin. Ne i kemi regjistruar dhe e gjithë ngjarja është e regjistruar në shkelje flagrante me ligjin. Një ditë para se të ndodhte kjo, ishte këtu në komision ministri Lleshaj dhe të nesërmen sillte policinë aty për t’i bërë karshillëk opinionit publik. Ky është mesazhi më i keq që mund t’i jepet studentëve. Ne kemi vendosur ta denoncojmë për shkeljen e ligjit”, – tha Marku.

Po ashtu, në rendin e ditës, në komision ishte dhe seanca dëgjimore me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, dhe ministren e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Besa Shahini, për të dhënë informacione dhe shpjegime në lidhje me ndërhyrjen e Policisë së Shtetit në ambientet e Fakultetit të Filologjisë dhe Historisë, cilët nuk morën pjesë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.