Kantieri i Rrugës së Arbrit, Rama: Të vendosur për ta bërë Shqipërinë që duam

173


TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ – Puna në Rrugën e Arbrit vijon me intensitet dhe në bazë të kontratës, duhet të përfundojë brenda 44 muajsh, por me volumin e kryer dhe me angazhimin e koncesionarit pritet që rruga të përfundojë më herët.

Konkretisht, po punohet tek Ura e Vashës që lidh dy tunelet T5 dhe T6 në dy shpatet e malit. Ura përbëhet nga konstruksion metalik në një hark rihter. Ka 27 kolona paralel në të dyja anët e urës, të cilat ngrihen drejt lart. Ura ka një gjatësi hapësirë drite 160 metra, pjesa e kalueshme mbi konstruksion metalik është 220 metra, ndërkohë që vetë ura është 242 metra.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga kantieri i ndërtimit në Rrugën e Arbrit.

MIRËMËNGJES, dhe me këto pamje që s’kanë nevojë për koment nga kantieri i Rrugës së Arbrit, duke ju siguruar të gjithë se sa më shumë të lehin qentë aq më të frymëzuar e të vendosur jemi për ta bërë Shqipërinë që duam, ju uroj një javë të mbarë “, shprehet Rama.

E gjithë pjesa e Rrugës së Arbrit që ka mbetur për t’u ndërtuar është 54 km, në të cilën koncesionari ka realizuar më shumë se 28% të punimeve.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.