Haradinaj: Taksa nuk e pengon marrëveshjen përfundimtare me Serbinë

103

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka takuar sot familjet e dëshmorëve të Komunës së Deçanit, duke theksuar se taksa ndaj mallrave me origjinë serbe nuk do të hiqet deri në njohjen e Kosovës nga ana e Beogradit zyrtar.

Kreu i qeverisë theksoi se taksa nuk e pengon marrëveshjen përfundimtare, por do të përshpejtojë arritjen e saj. Sipas Haradinajt, kushdo që e cenon Kosovën e 17 shkurtit, është armik i kombit.

“Kushdo që e hap dhe cenon Kosovën e 17 shkurtit është armik për ne. Ai që hap kufirin nuk është mik për Kosovën”, tha ai.

Çështja e hapjes së ndryshimit të kufijve të Kosovës, sipas tij i shkon për shtat më shumë kreut të shtetit rus, Vladimir Putin.

Ndërsa, përfaqësuesi i OVL të UÇK-së në Dukagjin, Abdyl Mushkolaj, theksoi se Kosova asnjëherë nuk ka qenë më e fortë se sot, pasi sipas tij, Kryeministër është një person që po i prin proceseve. Vendosja e taksës nga Haradinaj dhe këmbëngulja për taksën sipas tij, po e bën krenar gjithë Deçanin./KosovaPress/e.caushi/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.