Foto/ Tirana shënon 99-vjetorin e shpalljes kryeqytet

99

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ – Tirana festoi sot 99-vjetorin e shpalljes kryeqytet. Bashkia e Tiranës organizoi një sërë aktivitesh jo vetëm në përkujtim të çasteve më të rëndësishme të historisë së Tiranës kryeqytet, por edhe të promovimit të vlerave të saj si kryeqendër e të gjithë shqiptarëve. Në fjalën e mbajtur në ceremoninë zyrtare, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehu mirënjohje për të gjithë ata që në këto 99 vite kanë kontribuar për ta zhvilluar Tiranën dhe theksoi se sot ajo është një kryeqytet modern, i denjë për të gjithë shqiptarët.

Ai u ndal në momentet dhe periudhat më të rëndësishme në të cilat ka kaluar historia e kryeqytetit shqiptar, që nga shpallja, monarkia, periudha e pushtimit, diktatura, tranzicioni demokratik dhe për të mbërritur në ditët e sotme, ku Tirana jo vetëm kujton e nderon të shkuarën e saj, por edhe punon për të qenë një kryeqytet i denjë i një shteti që kërkon të integrohet në Bashkimin Europian. “Tirana ishte gjithashtu pjesë e ndryshimeve demokratike, ishte kyç në ndryshimet demokratike dhe në transformimin në një shoqërie liberal demokratike, e Shqipërisë si gjithë Europa. Tirana ishte ajo që frymëzoi lëvizjet studentore, dhe jam shumë i lumtur sot që kemi rikthyer vëmendjen tek studentët, me gjithë punët që bashkia e Tiranës po kryen në konvikte, dhe me gjithë transformimin e gjithë asaj hapësire ku lindi në fakt e gjithë lëvizja demokratike”, u shpreh Veliaj.

Duke u ndalur tek ajo që përfaqëson sot Tirana, kryebashkiaku theksoi se ajo është një nga kryeqytetet më të rëndësishme të gjithë Ballkanit dhe Europës Juglindore, duke u kthyer gjithashtu në një destinacion turistik e qendër politiko-administrative. “Janë të rrallë qytetet edhe në rajonin e Ballkanit, që të kenë një zhvillim kaq të shpejtë dhe modern për një periudhë relativisht të shkurtër, për t’u bërë kështu kryeqyteti me letërkredencialet e sigurta të zhvillimit modern dhe një të ardhme të sigurtë për banorët e saj. E ardhmja e kryeqytetit të Tiranës është e sigurt, sepse ka një zhvillim vizionar, ka edhe një bukuri të pakontestueshme. Tirana sot konsiderohet pothuajse nga të gjitha guidat turistike, një nga qytetet më intrigues, më të bukur dhe më interesant të të gjithë Ballkanit, një nga qytetet më të spikatur të Europës Juglindore dhe më gjerë”, tha Veliaj.

Më tej, ai shtoi se sot Tirana është sot kryeqyteti i arsimit dhe kulturës shqiptare, duke qenë se është qendra më e madhe universitare, por edhe e aktiviteteve kulturore. Veliaj theksoi rëndësinë që ka kryeqyteti edhe në aspektin e ekonomisë së gjithë Shqipërisë. Ndaj, sipas tij, është shumë e rëndësishme që ekonomisë t’i jepet më shumë rëndësi, pasi kështu zhvillohet edhe Shqipëria. Ai veçoi se Tirana është metropol jo vetëm për shqiptarët e Shqipërisë, por për shqiptarët kudo ku ata banojnë, për atë që quhet si ‘albanosfera’, si edhe poli më i madh magnetik i diasporës shqiptare kudo në botë.

Sipas kryebashkiakut, puna për të ardhmen nis pikërisht me më të vegjlit, me rindërtimin e çerdheve, kopshteve, e këndeve të lojërave, por edhe i shkollave, për të siguruar një arsim dinjitoz për të gjithë.

Veliaj bëri të ditur se Tirana e së ardhmes dhe e shekullit të dytë kryeqytet do të ketë edhe dy terminale autobusësh. Terminali i Farkës dhe terminali në zonën perëndimore, në Kthesën e Kamzës.

Për realizimin e këtyre projekteve, ai theksoi se kushdo që preket dhe ka prona të ligjshme në zonat ku do të ndërtohen stacionet multimodale do të shpronësohen sipas ligjeve në fuqi. Po ashtu, ai theksoi se Tirana do ketë edhe Unazën e Madhe, si një investim që i shërben të tashmes dhe të ardhmes së qytetit, duke çliruar trafikun në një nga zonat më të ngarkuara.

Në fund të kësaj ceremonie, kreu i bashkisë në shenjë mirënjohje për punën dhe kontributin e dhënë në punët e qytetit në këto dekadat e fundit, ka vlerësuar me titullin “Simbol i Qytetit” edhe dy nga punonjësit më të vjetër të bashkisë së Tiranës, Gjergj Papavasilin dhe Valter Gjonin, respektivisht me 38 dhe 35 vite punë pa ndërprerje. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.