FOTO/ Programi IPARD, i orientuar tek investimet në agroturizëm

TIRANË, 11 shkurt /ATSH/ – Ferma dhe resorti ‘Nano’ në periferi të Tiranës është një histori suksesi, një model frymëzues për të gjithë ata që duan të investojnë në agroturizëm.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi gjatë vizitës që zhvilloi në këtë fermë agroturistike, u shpreh i impresionuar nga ajo çfarë ka ngritur Kliti Nano në Daias, pas Mulletit, në Tiranë.

“Në një hapësirë prej rreth 5 hektarësh i gjen të gjitha çfarë i duhen një ferme të kompletuar. Janë gati 200 dhi alpine, disa lopë, pula, perime e fruta të të gjitha llojeve dhe deri tek vaskat e peshkut. Gjithçka gatuhet në restorant ka për bazë ato që prodhohen në fermë”, shprehet Çuçi. 

Çuçi theksoi se, “për ne agroturizmi nuk është thjesht një sektor i ri biznesi, por një mundësi e shkëlqyer për të nxjerr fshatin nga varfëria”. 

Ministri thekson se “fondet e BE-së përmes programit IPARD i kemi orientuar pikërisht tek investimet në agroturizëm”, ndërsa inkurajon të gjithë ata që duan të investojnë në agroturizëm t’i drejtohen AZHBR-së për të përfituar nga skemat mbështetëse”.

/e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.