FOKUS – Pompeo nis turin europian

110

UASHINGTON, 11 shkurt /ATSH-DPA/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo filloi një tur pesë ditor në Europë, ku sipas zyrtarëve thuhet se do të përpiqet të kundërshtojë ndikimin rus dhe atë kinez në Kontinentin e Vjetër.

Turi i tij filloi me Hungarinë dhe më pas do të vazhdojë në Sllovaki, Poloni, ku do të marrë pjesë në një konferencë të organizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Lindjen e Mesme, dhe më pas në Belgjikë dhe Islandë.

Zyrtarët nga Departamenti i Shtetit bënë të ditur se Uashingtoni ka në fokus impenjimin diplomatik, tregtar, ushtarak dhe kulturor në të gjithë linjën e Europës Qëndrore.

“Mungesa e një angazhimi të fortë amerikan në dekadën e fundit në Europën Qendrore ka krijuar boshllëqe, të cilat Kina dhe Rusia i kanë mbushur shumë lehtë” , theksoi një funksionar i lartë për gazetarët.

“Mesazhi ynë është se ne duhet të prezantojmë veten ose të presim humbjen,” shtoi ai, duke shtuar se nuk ka pasur asnjë sekretar të Shtetit të SHBA-së në kryeqytetin sllovak, Bratislavë në 20 vitet e fundit, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin kishte shkuar në Hungari dy herë vetëm vitin e kaluar.

Ata gjithashtu theksuan “praninë e fortë” të gjigantit kinez të telekomunikacionit Huawei në Hungari.

Zyrtarët amerikanë kanë ngritur shqetësime se qeveria kineze ka qasje në pajisjet e saj të telekomunikacionit, duke lejuar monitorimet e telefonatave dhe komunikimeve të tjera./    /os/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.