Fakulteti Histori-Filologji/ Viti akademik deri në 23 qershor, mësim edhe të shtunave

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ – Pas bojkotimit të mësimit nga ana e pedagogëve, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë ka vendosur se si do procedohet gjatë këtij viti akademik pa dëmtuar studentët.

Përmes një vendimi që mban firmën e dekanit të këtij fakulteti është vendosur që periudha e mësimit për semestrin e parë të shtyhet deri më datë 3 mars të këtij viti, ku mësimi do të zhvillohet  edhe gjatë fundjavës. Ndërsa sezoni i provimeve do të shtyhet pas datës 4-24 mars.

“Periudha e mësimit për semestrin e parë shtyhet deri më datë 03.03.2019. Do të mbahet mësim edhe gjatë fundjavave, si dhe në oraret kur të ketë salla të lira. Përgjegjësit e departamenteve do të hartojnë agjendat e njësive bazë, pasi të jenë konsultuar me studentët, stafet akademike dhe ato ndihmësakademike. Kopje të agjendave do të dorëzohen në Sekretarinë Mësimore dhe tek zv.dekanët përgjegjës deri më datë 13.03.2019. Sezoni i provimeve do të jetë në periudhën 04-24 mars 2019”, thuhet në vendimin e sotëm të dekanatit.

Periudha e mësimit për semestrin e dytë do të nisë më 25 mars deri 23 qershor 2019. Sa i përket procesit mësimor, në vendim sqarohet se do të mbahet mësim edhe të shtunave, deri në zëvendësimin e dy javëve mësimore.

Gjithashtu, dekanati u shpreh për mos penalizimin e studentëve për mungesat në mësim gjatë periudhës së protestave, pasi orët e mësimit do të zëvendësohen. z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.