Fakultetet në normalitet/ Ditë bojkoti tek Filologjiku

TIRANË, 11 shkurt/ATSH-Z.Tosku/- Studentët e të gjithë fakulteteve të Universitetit të Tiranës i janë rikthyer auditorëve duke zhvilluar mësim normalisht.

Gjatë një vëzhgimi të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, studentë të të gjithë fakulteteve pohuan se mësimi po vijon normalisht dhe orët po kryhen të rregullta.

I vetmi fakultet ku procesi mësimor është ndërprerë mbetet ai i Histori-Filologjisë, për shkak të vendimit të pedagogëve për të bojkotuar mësimin një ditë të çdo jave. Nga ana tjetër, studentë pranë këtij fakulteti thonë se ka ardhur koha që mësimi të zhvillohet i rregullt, pasi vazhdimësia e bojkotit rëndon mbi ta.

“Ka filluar normalisht mësimi. Kam tre orë mësim seminar”, thotë një student nga Fakulteti i Shkencave Sociale. Po kështu, studentja e vitit të parë në degën “Filozofi” shprehet se sot ka bërë mësim të rregullt.

Pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, studentët thonë se mësimi i tyre ka nisur.

“Ka pothuajse një javë që kemi filluar mësimin. Unë kam mësim deri në orën 3 pasdite”, thotë studentja. Nga ana tjetër, studenti i vitit të dytë në degën Informatikë-Ekonomike pranë Fakultetit Ekonomik thotë se “kemi filluar rregullisht. Që nga momenti që universiteti ka nxjerrë lajmërimin e shkollës, kemi filluar mësimin”.

Po kështu shprehet edhe një tjetër student: “Po, kemi bërë. Sot kishim 6 orë. Kemi bërë 4 tani kemi edhe dy. Të gjitha klasat kanë bërë mësim. Kërkesa kryesore u plotësua dhe është gjithçka në rregull tani”, tha ai.

Studenti i Filologjikut thotë se mësimi do të fillojë ditën e nesërme normalisht, ndërsa bojkoti i një dite në javë do të zëvendësohet të shtunën. “Mësimi do të fillojë nesër rregullisht dhe orët do të zëvendësohen të shtunën. Pra, do të ketë një ditë bojkot dhe ajo ditë që do bëhet bojkot do të bëhet mësim të shtunën”.

Të pyetur nga ATSH-ja, studentë të tjerë pranë këtij fakulteti thonë se ka ardhur koha t’i jepet fund bojkotit.

“Deri tani isha pro bojkotit por tani isha por tani dua të vazhdoj mësimin”, – shprehet një studente e Filologjikut. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.