Çupi: Axhenda e vetme e opozitës, të udhëheqë qytetarët

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/- Axhenda e vetme e opozitës në protestën e 16 shkurtit është të udhëheqë e t’i bëjë ballë halleve dhe shqetësimeve të qytetarëve.

Kështu deklaroi sot në një intervistë në studion e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi.

“Opozita do të udhëheqë protestën që ne shpresojmë se do të jetë protesta më e madhe që është organizuar ndonjëherë në 29 vite demokraci në vendin tonë”, – nënvizoi Çupi.

Sipas saj, është një protestë që ka të gjithë elementët e një proteste, të një vrulli popullor ndaj keqqeverisjes që, sipas saj, shqiptarët sot kanë mbi qafë.

“Nuk është vetëm protesta e parë. PD ka bërë në mënyrë të vazhdueshme gjatë 6 viteve të saj në opozitë”, – theksoi Çupi.

Kjo protestë, vijoi ajo, ka veçantinë e saj, sepse është vazhdimi i protestave që janë zhvilluar më 2018.

“Mos harrojmë që në çdo muaj të 2018 targetgrupe të ndryshme të shoqërisë kanë protestuar ndaj kësaj qeverie, protesta e kuksianëve, naftëtarëve, ish-pronarëve, ish-të përndjekurve, minatorëve dhe sigurisht protesta e 16 shkurtit finalizon të gjitha këto pakënaqësi të gjithë shqiptarëve”, – tha Çupi.

Deputetja e PD-së theksoi se “kjo qeveri është në ditët më të vështira dhe ka humbur legjitimitetin, sepse qytetarët shqiptarë nuk janë më me këtë qeveri”.

Çupi u shpreh se “opozita ka treguar që bën protesta paqësore”. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.