Çështja Dajti, Gjonaj i drejtohet KLGJ-së: Të shkarkohen tre gjyqtarët, vendimi i paprecedent

54

TIRANË, 11 shkurt /ATSH – I. Vata/ – Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka kërkuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, ndëshkimin e tre gjykatësve që, siç tha ajo, kryen aktin e paprecedent të kalimit nga burgim i përjetshëm në 25 vjet heqje lirie për Dritan Dajtin, vrasësin e 4 policëve.

Në një prononcim për mediet, Gjonaj u shpreh se Ministria e Drejtësisë ka kryer verifikimet paraprake gjatë këtyre ditëve të fundit referuar dhe informacionit paraprak të marrë nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda.

“Nga verifikimet rezulton se trupi gjykues i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda me vendimin e datës 08.02.2019 me shumicë votash me tre anëtarë të trupit gjykues prej 5 anëtarësh ka vendosur lënien në fuqi të vendimi të shkallës së parë për Krimet e Rënda përsa i përket kualifikimit ligjor, por ndryshimin e këtij vendimi në lidhje me masën e dënimit, ku në aplikim të nenit 406 të Procedurës Penale, i pandehuri Dajti dënohet përfundimisht me 25 vjet burg”, shprehet ministrja.

Pas verifikimit paraprak kësaj çështjeje, ministrja e Drejtësisë ka vlerësuar se ka vend për fillimin e hetimit disiplinor për shkelje të rënda profesionale që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës, nga ana e gjyqtarëve Skënder Damini dhe Petrit Aliu të Gjykatës së Apelit Vlorë si dhe Aleks Nikotli i Gjykatës së Apelit Shkodër.

“Për këtë arsye, sot i jam drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektoratit me kërkesë zyrtare për fillimin e hetimit disiplinor dhe marrjen e vendimit të shkarkimit nga detyra ndaj gjyqtarëve të sipërpërmendur, si dhe kryerjen e një hetimi të thelluar administrativ për këtë dosje”, tha Gjonaj.

Nga verifikimet e kryera deri tani rezulton se gjyqtarët e sipërpërmendur kanë pranuar një kërkesë për gjykim të shkurtuar në kushtet kur kjo kërkesë në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ishte paraqitur jashtë afateve të parashikuara nga ligji. Sipas rregullave procedurale në fuqi në kohën e paraqitjes së kërkesës (në bazë të nenit 403 i Kodit të Procedurës Penale), kërkesa e të pandehurit për gjykimin të shkurtuar depozitohet të paktën tre ditë përpara datës së seancës të përcaktuar. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka disponuar në kundërshtim me nenin 403 të Kodit të Procedurës Penale, në kushtet kur, kjo kërkesa është paraqitur pasi është deklaruar nga gjykata hapja e shqyrtimit gjyqësor në përputhje me parashikimet ligjore të procedurës penale.

Vendimi gjithashtu është në kundërshtim të hapur dhe me vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë (dhe përmend vendimin numër 2 të vitit 2003), ku sipas këtij vendimi Gjykimi i shkurtuar ka vlerë për ekonomi gjyqësore, sepse thjeshton dhe shkurton procedurat, rrit shpejtësinë dhe efektivitetin e gjykimit.

Mbajtur në konsideratë të numrit të lartë të seancave gjyqësore në Shkallën e Parë edhe më tej edhe sagën e proceseve gjyqësore për një periudhë pothuajse 10-vjeçare, të cilët kanë vendosur burgimin e përjetshëm, nuk justifikojnë vendimmarrjen për gjykimin e shkurtuar në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda.

“Duke analizuar këto sa përmenda më sipër, dhe argumente të tjerë ligjorë, kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë është depozituar ditën e sotme pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor për një hetim të thelluar të dosjes dhe vendimmarrjen përkatëse ndaj gjyqtarëve”, tha Gjonaj.

“Jam besimplotë se KLGJ do të veprojë shpejt duke marrë të gjitha masat e nevojshme për procedimin disiplinor të gjyqtarëve konform ligjit në këtë çështje. Ju bëj me dije se reagimi i qeverisë ndaj kësaj vendimmarrje të paprecedent nuk ndalet as këtu dhe as me kaq”, përfundoi ministrja e Drejtësisë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.