Bashkia e Tiranës: Terminali multimodal për transportin publik në shërbim të qytetarëve

89
dav

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ – Bashkia e Tiranës, mbështetur në politikat e saj dhe në strategjinë e zhvillimit të qëndrueshëm të transportit në qytetin e Tiranës, në bashkëpunim me Bankën Europiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH), ka identifikuar nevojshmërinë e krijimit të një terminali multimodal për transportin publik në bashkinë e Tiranës.

Për këtë qëllim, Këshilli i Ministrave ka miratuar disa akte nënligjore, në funksion të vijimit të procedurave për realizimin e këtij projekti. Me vendimin nr. 770, datë 10.11.2011, Këshilli i Ministrave ka vendosur kalimin në pronësi të bashkisë së Tiranës, të truallit me sipërfaqe 85.000 m2, me qëllim përdorimin e saj për ndërtimin e Terminalit Multimodal të Pasagjerëve.

Me anë të vendimit nr. 445, datë 22.05.2013, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar bashkinë e Tiranës, si autoritetin kontraktues për dhënien me koncesion vendor të projektimit të ndërtimit, financimit, operimit dhe transferimit të terminalit të transportit publik në qytetin e Tiranës.

Në njoftimin për shtyp, bashkia e Tiranës thekson se “së fundmi, nga disa takime të përbashkëta ndërinstitucionale, jemi bërë me dije se Qeveria qendrore, nëpërmjet shoqërisë Hekurudha Shqiptare sh.a., Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe në bashkëpunim me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, po punojnë për zhvillimin e projektit të linjës hekurudhore Durrës-Tiranë-Rinas dhe ndërtimit të stacionit të Terminalit Hekurudhor. Ky terminal hekurudhor, synohet që të integrohet në terminalin multimodal për transportin publik në bashkinë e Tiranës, projekt i cili po finalizohet nga ana e bashkisë së Tiranës”.

Në lidhje me ndërtimin e Terminalit Hekurudhor, sqaron bashkia, “tashmë shoqëria Hekurudha Shqiptare sh.a i është drejtuar zyrtarisht bashkisë së Tiranës mbi bashkëpunimin për zhvillimin e këtyre dy projekteve madhore në fushën e transportit publik. Në dispozicion të këtyre dy projekteve, përveç pronës në pronësi të bashkisë së Tiranës, duhet të vendosen dhe disa prona private, vendosja e të cilave do të realizohet nëpërmjet procedurave ligjore të shpronësimit publik”.

“Për sa më sipër, ku interesi publik dhe ai i qytetarëve mbizotëron mbi çdo projekt tjetër, bashkia e Tiranës dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të bashkëpunojnë për të siguruar funksionalitetin optimal dhe zhvillimin e këtyre dy projekteve, në shërbim dhe funksion të qytetarëve të vendit tone”, përfundon njoftimi i bashkisë. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.