Ulja e dënimit për Dajtin, Gjonaj: Aferë korruptive, procedim gjyqtarëve nga KLGJ

TIRANË, 10 shkurt /ATSH/- “Vendimi i trupës së gjyqtarëve për pranimin e dënimit të shkurtuar dhe uljen e dënimit për 25 vjet për një të pandehur që akuzohet për vrasjen e katër policëve, tregon qartë se kemi të bëjmë me një aferë korruptive dhe shkelje të Kodit të Procedurës Penale”.

Kështu deklaroi sot në një deklaratë sot për medien, Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj në reagim të vendimit dhënë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ndaj Dritan Dajtit.

Dy ditë më parë Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda rrëzoi vendimin “burgim të përjetshëm”, dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda për Dritan Dajtin, i akuzuar për vrasjen e katër efektivëve të policisë në vitin 2009 pranë plazhit “Iliria” në Durrës. Apeli pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar ndaj Dritan Dajtit .

Ministrja tha se “prej 48 orësh kemi punuar intensivisht për të adresuar një skandal të tillë të papranueshëm, të përmasave të tilla të pa tolerueshme të gjyqtarëve që kanë dhënë vendimin në kundërshtim me ligjin për personin e akuzuar për vrasjen e 4 policëve”.

“Duke ndarë me publikun revoltën legjitime të çdo qytetari përballë këtij lajmi të shëmtuar që vjen nga segmente, ku ende nuk ka arritur procesi i vettingut, duhet të theksoj se do të ndjekim të gjitha hapat me mjetet ligjore që jeta e 4 dëshmorëve të atdheut të peshohet në kandarin e korrupsionit në mungesë totale të profesionalizmit dhe integritetit të disa gjyqtarëve që nuk meritojnë asgjë tjetër përveç se përbuzjes nga çdo qytetar i ndershëm”, u shpreh Gjonaj.

Vendimi, sipas saj, është në kundërshtim me çdo standard të procesit penal dhe rrezikon të krijojë një precedent të rrezikshëm në dhënie e lirisë së elementëve kriminalë.

Gjonaj thekson se “Qeveria nuk synon vendosjen e kontrollit mbi drejtësinë, por në raste të tilla papërgjegjshmërie drejtësie, të një vendi që aspiron BE, nuk mund të rrijë pa reaguar me të gjitha format ligjore”.

“Fatkeqësisht kjo drejtësi në reformim e sipër, që hera herës shfaq fytyrën e saj të vjetër të përbuzjes të vetë drejtësisë, na vendos të gjithëve në një pozitë të vështirë por të gjithë duhet të kuptojnë se vetëm përfundimi i zbatimit të Reformës në Drejtësi, pastrimi nga radhët e drejtësisë të gjyqtarëve, si ata që ulën dënimin e vrasësit të 4 policëve, është rruga për të ndaluar përgjithmonë këto vendime të paligjshme”, nënvizon ministrja.

Dua të informoj, tha ajo, “që paralelisht me Reformën në Drejtësi ne do të përshpejtojmë reformën në rritjen e sigurisë në burgje si masa imediate në luftën kundër krimit të organizuar ku pas instalimit të monitorimin 24 orë të seksioneve të sigurisë së lartë në burgje, instalimit të regjimit 41 bis dhe paketës ligjore me ndryshimet të kësaj natyre si pjesë e paketës antikrim do të miratohet së shpejti për forcimin e mëtejshëm të nivelit të sigurisë në institucionet penitenciare””.

“Ministria e Drejtësisë, do t’i drejtohet KLGJ-së për të marrë masat e menjëhershme për procedimin disiplinor të gjyqtarëve, deklaroi Gjonaj. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.