Situata e fruthit- Mjekja Shiroka apel prindërve për vaksinimin e fëmijëve

TIRANË, 10 shkurt/ATSH/- Përsa i përket virusit të fruthit dhe shfaqjes së tij në popullatë nuk ka vend për panik, por me rëndësi është vaksinimi i fëmijëve.

Kështu deklaroi në një intervistë në studion e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, doktoreshë Bruna Shiroka, mjeke familjeje në Qendrën Shëndetësore numër 3 në Tiranë.

“Kemi pasur një ripërhapje të rasteve të infektuara nga ky virus. Këtë vit kanë qenë kryesisht moshat e vogla, të cilat janë prekur dhe ata që predominojnë rastet e prekura janë fëmijët që nuk janë vaksinuar”, theksoi Shiroka.

Sipas saj, virusi i fruthit ka atë qarkullim biologjik një herë në 4- 5 vjet, kryesisht në popullata të pavaksinuara.

Lidhur me moshat më problematike, Shiroka shprehet se “nëse në popullatë do realizohet vaksinimi në përqindje më të lartë të mundshme duke përjashtuar vetëm raste të cilat për arsye shëndetësore, si në rastet e disa sëmundjeve që kompromentojnë imunitetin dhe është e vështirë për t’u realizuar vaksina apo në rastet e mbi ndjeshmërisë apo alergjisë nga vaksina një pjesë shumë e vogël mund t’i shmanget kalendarit të vaksinimit, por pjesa tjetër duhet vaksinuar”, – nënvizoi doktoreshë Shiroka.

Kjo kategori e pavaksinuar, shtoi ajo, është shumë e ndjeshme në rast të përhapjes së virusit.

“Nuk mund të themi që kemi një situatë epidemike ama kemi raste të evidentuara të cilat janë përhapur pikërisht në këto kategori që për arsye të prindërve më shumë, për arsye subjektive dhe asgjë objektive nuk kanë realizuar vaksinimin e tyre”, tha Shiroka.

Doktoreshë Shiroka thekson se “prindërit për shkak të disa opinioneve të shprehura të pavërtetuara shkencërisht, siç është lidhja jo domosdoshmërisht e drejtë e vaksinës së fruthit dhe shkakut të saj për përhapjen e autizmit bëjnë që prindërit të stepen. Nuk ka asnjë  dokument që e vërteton nga ana shkencore lidhjen e përdorimit të vaksinës së fruthit me përhapjen e autizimit në popullatë”./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.