Përrenjas- 290 nxënës të shkollës “Dilaver Nezha” në ambiente të reja

TIRANË, 10 shkurt/ATSH/ – Drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit, Taulant Balla, i shoqëruar nga deputeti socialist Nuri Belba, kanë inspektuar nga afër punimet për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Dilaver Nezha” në Qukës Shkumbin, Përrenjas.

Investimi po realizohet falë një fondi prej 289 milionë lekë (të vjetra) të akorduar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Shkolla e re që do t’u shërbejë së shpejti 290 nxënësve të kësaj zone, do të ketë ambiente krejtësisht të transformuara dhe një sistem ngrohje qendrore plotësisht bashkëkohor.

“Ky projekt në fakt u nis si projekt rikonstruksioni, por për shkak të problematikave që ndodhën gjatë implementimit të projektit u desh të ndryshohet projekti për të vazhduar me një ndërtim tërësor të shkollës. I kemi kërkuar kompanisë të planifikojë edhe sistemin e ngrohjes. Do të na duhet që të ndërhyjmë për të garantuar edhe funksionimin dhe furnizimin e kaldajës, me qëllim që në një zonë të ftohtë sikurse është Qukës-Shkumbini, ne të garantojmë që edhe kjo shkollë të ruajë të njëjtin standard që jemi munduar të implementojmë në tre vitet e fundit, pothuajse në të gjitha shkollat e qarkut të Elbasanit i cili garanton ruajtjen e temperaturave po ashtu edhe sistemin e ngrohjes me kaldajë”,- nënvizoi Balla.

Balla u shpreh se “duhet të kemi parasysh që gjithmonë në gjithë këto shkolla sistemi i ngrohjes ka qenë jo vetëm joeficient, por edhe në dëm të mjedisit dhe nuk garantonte një arsimim funksional në klasa”.

“Këtë do ta ndjekim deri në fazën e fundit me qëllim që të garantohet që  të jetë një cilësi shumë e mirë e punës dhe që sa më shpejt të jetë e mundur të vihet në funksion të nxënësve. Kjo ka afektuar goxha nivelin e përgatitjes mësimore për këtë vit shkollor”, – nënvizoi Balla.

Ndërsa deputeti Belba u shpreh se ky investim do të pasohet nga të tjerë.

“Kjo nuk është shkolla e parë që ndërtohet në bashkinë Përrenjas, vijon pas shkollës “Qybra Sokoli”, e cila u kthye në një ambient shumë komod për të gjithë nxënësit e qytetit të Përrenjasit”, – u shpreh Belba.

Ai tha se “në vijim do të vazhdojmë me shkollën “Sabri Halili” në Rrajcë, shkollë e mesme, e cila ka 800 nxënës, po ashtu edhe me përmirësimin e kushteve të shkollës Karavec, e cila po ashtu kërkon ndërhyrje”./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.